Ilustrim

VIDEO: Vetura e djegur e kandidatit për deputet, Mefail Bajqinovcit

Vetura e kandidatit për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, sonte është përfshirë nga zjarri.

Në një prononcim për KALLXO.com, Bajqinovci ka treguar se në momentin e incidentit ai ka qenë brenda në veturë.

Ai tha se nuk e di arsyen e shpërthimit të zjarrit.

“Vetura më është djegur dhe kam qenë në të, më shumë nuk kam çfarë të them. Ende nuk e di nëse përfshirë në zjarr nga ndonjë defekt, problem teknik apo diçka tjetër, veç gati u djega në të edhe unë”, tha ai për KALLXO.com.

Rastin e ka konfirmuar edhe Agron Borovci, zëdhënësi i Policisë së Kosovës. Për KALLXO.com ai tha se rasti ka ndodhur në ora 19:00.

Ai tha se dy vetura janë përfshirë nga zjarri sot në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, kurse nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar.

“Rreth orës 19:00 është raportuar për një veturë me tabela të Kosovës të përfshira nga zjarri në lagjen Arbëria në Prishtinë. Nga zjarri është prekur edhe një veturë afër veturës që kishte marrë flakë”, ka bërë të ditur ai.

Tutje ai tha se Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit të cilët e kanë fikur zjarrin.