VIDEO: Vendimi i Arban Abrashit nuk respektohet nga Agim Veliu dhe Besian Mustafa

Ditë me parë ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka ndaluar me një vendim të gjitha reklamat e vendosura në autostradat e Kosovës.

Mirëpo vendimi i ministrit Abrashi nuk ishte respektuar nga dy bashkëpartiakët e tij, Agim Veliu dhe Besian Mustafa.

Emisioni “Kallxo Pernime” ka transmetuar pamjet e reklamave në autostradën “Ibrahim Rugova”, përkatësisht në dalje të saj afër Podujevës. Në pano ishin vendosur reklama fushate të Agim Veliut dhe Besian Mustafës, në të cilat tregohet se cilin numër e ka njëri apo tjetri kandidat në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Agim Veliu nuk ka dashur të flasë për emisionin duke mos treguar as detaje se sa para ka paguar dhe kujt ia ka paguar pasi që aty nuk është e lejuar të vendosen reklamat.

I pafjalë dhe pa detaje ka qenë edhe Besian Mustafa.

Ai ka thënë shkurt se nuk i di detajet.

Shumë nga këto hapësirat e reklamave në autostradat e Kosovës menaxhohen nga kompania “Media Marketing SH. A.”.

E njëjta një kohë ka pasur një pëlqim nga Ministria e Infrastrukturës, e cila pas disa muajve kishte anuluar vendimin por reklamat vazhdojnë të qëndrojnë të vendosura në autostradat e Kosovës.

Hulumtuesit e emisionit “Kallxo Pernime” kanë tentuar të flasin me pronarin e kësaj kompanie Rexhai Shabanaj por i njëjti nuk kishte dhënë detaje duke thënë së tash është në gjykatë me ministrin dhe pret vendimin e gjykatës.