Fotografi afër vendit ku vdiq Fadil Syleviqi, Foto: KALLXO.com

(VIDEO) Vdekja e dyshimtë e Fadil Syleviqit, tërhiqet trupi për t'u dërguar në obduksion

Ish- pjesëtari i Policisë së Kosovës më saktësisht i njësitit të anti-terrorit, Fadil Syleviqi është gjetur pa shenja jete në një mal në afërsi të Liqenit të Badovcit.

Zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj ka treguar se cilat kanë qenë veprimet e Prokurorisë në këtë rast.

“Ende është herët për të dalë në një rezultat se cilat janë shkaqet e vdekjes. Por ajo çka mund të them është se prokurori i krimeve të rënda ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka dhënë urdhër që trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduksion. Të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim edhe me policinë dhe prokuroria po ndërmerr veprime për zbardhjen e rastit”, tha Ulaj për KALLXO.com.

Prokuroria sipas Ulajt rastin po e trajton si vdekje të dyshimtë.

Gjatë ditës së sotme në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipet policore, njësiti i forenzikës, Instituti i Mjekësisë Ligjore ndërsa për tërheqjen e trupit janë thirrur Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Kjo për shkak se FSK është më e pajisur për të bërë tërheqjen e trupave në zona më problematike.

Gjashtë ushtarë të FSK-së kanë shkuar në vendin e ngjarjes në këmbë me pajisjet për tërheqjen e trupit, pasi që terreni në të cilën ndodhej trupi i Syloviqit ishte i papërshtatshëm për të shkuar me vetura.

Disa kilometra larg trupit të pajetë të Syleviqit është ekzaminuar nga ekipi i forenzikës edhe vetura e tij.

Nga ana e institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë ende nuk është bërë e ditur se cili ka qenë shkaku i vdekjes së Syleviqit.

Policia e Kosovës kishte njoftuar gjatë ditës së sotme për vdekjen e Syleviqit por pa dhënë ndonjë detaj shtesë.

“Sot, më 15.01.2021, pak pas orës 14:00, policia është njoftuar për një rast që ka ndodhur në rrugën që shpie nga Mati për te liqenin e Badovcit, ku një person dyshohet se është pa shenja jete. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka kontaktuar familjarët e personit, si dhe ka ftuar prokurorin e shtetit dhe ekipet e mjekësisë urgjente”, thuhet në njoftimin e policisë.