Protesta për punësimet në Trepçë - 13.02.2020

VIDEO - Vazhdon protesta për punësimet në Trepçë, askush nga niveli qendror nuk takon protestuesit

 

Në ditën e katërt të protestës dhjetëra qytetarë të pakënaqur lidhur me konkursin e fundit në Trepçë janë mbledhur që në orët e hershme të mëngjesit dhe kanë bllokuar rrugën Mitrovicë – Stantërg.

Arsim Musa njëri nga anëtarët e këshillit organizativ të protestës katër ditore të banorëve të Shalës ka thënë se kanë kërkuar përkrahjen e minatorëve të cilët shkonin në punë.

“Ne kemi dal këtu për bllokimin e rrugës komplet tërësisht. Rruga ka qenë e bllokuar dikun 35 deri në 40 minuta komplet, ne kemi kërkuar nga ata punëtorë që vijnë të na përkrahin, s’na kanë përkrahë. Na kanë përkrah pjesërisht ne kemi dashtë këtu me u ballafaqu me i ndalë njerëzit dhe këta minatorë që vijnë në mënyrë të organizume mos me shku në punë, edhe na jem pa punë, s’jemi kundër askujt, veç jem që qeta njerëz mos me ardhur me kalu me autobus këndej me ardhë në punë,” tha Musa.

Musa tutje ka thënë që qëllimi i tyre është që të protestojnë për të treguar pakënaqësitë e tyre.

“Mjetet qarkullojnë nuk jemi për me pengu mënyrën e lirë të lëvizjes së njerëzve s’kem t’keqe me askënd. Nuk kemi caktuar kohë ende nuk është e jona me caktu limit, të këqyrim në bazë këshillit organizativ në bazë të njerëzve që kemi këtu,” tha tutje Musa.

Të pyetur nëse kanë marrë ndonjë përgjigje për kërkesat e tyre, Musa ka theksuar se askush nga organet qendrore nuk është përgjigjur.

“Përgjigje nuk kemi marrë, kemi kërkuar me kryeministrin, ministrin e zhvillimit ekonomik, por nuk kemi marr kurrfarë përgjigje me shkrim apo as përmes ndonjë shkresë apo ndonjë mjeti të informimit nuk kemi marr asgjë,” tha Musa.

Banorët e Shalës së Bajgorës kanë protestuar tash e disa ditë  për shkak të mospërfilljes së tyre në konkurset për punësime në ndërmarrjen ‘Trepça’.

Ndërsa Ahmet Xhosha nga Policia e Kosovës në rajonin e Mitrovicës tha se protestuesit sot kanë qenë “më të padëgjueshëm”.

“E kanë bllokuar rrugën për nja 30-40 minuta. Pjesërisht kohë pas kohe e kanë liruar atë. Jemi munduar të komunikojmë gjatë tërë kohës me ta. Ata e kanë obligim që ta lirojnë rrugën dhe e kanë liruar atë. Nuk kemi pasur ndonjë incident,” tha Xhosha.