VIDEO: Varrimi i policit Sami Thaqi

Me një minutë heshtje filloi edhe procesi i varrimit të policit Sami Thaqi i cili ra në krye të detyrës mbrëmjen e kaluar gjatë një bastisje në fshatin Zhur të Komunës së Prizrenit.

Deri më tani ende nuk është parë se në varrimin e policit Thaqi po marrin pjesë krerë të lartë të shtetit përveç drejtuesve të Prokurorisë së Shtetit, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe deputetë të ndryshëm.

Drejtor i Përgjithshëm i Policisë, Rashit Qalaj, në këtë rast tha se nuk është e lehtë ndarja më një kontributdhënës.

“Sot nuk është një ditë e zakonshme dhe e lehtë për ne. Po ndahemi nga një mik, djalë, prind, shok, po ndahemi nga një kontributdhënës. Është shumë vështirë për mua të gjej fjalë për zyrtarin policor të rënë në krye të detyrës por të njëjtën kohë tregon përkushtimin e zyrtarit policor që për çdo sakrificë ishte i gatshëm”, tha ai.

Varrimi i Sami Thaqit – Foto: Kallxo.com
Varrimi i Sami Thaqit – Foto: Kallxo.com

Qalaj më tej deklaroi se që nga bashkimi në Polici të Kosovës, Thaqi ishte shembull i humanitetit dhe që sipas tij, nuk është kursyer asnjëherë për ligj e paqe.

“Prej kur iu bashku policisë së Kosovës ishte shembull i humanitetit, personifikim i heroit që nuk u kursye asnjëherë për rend e ligj paqe dhe atdhedashurisë njeriu që simbolizon një shembull. Si drejtor dhe në emër të Policisë dëshiroj të shpreh dhembjen e thellë për rënien e zyrtarit tonë policor”, u shpreh ai.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tha se familja e Sami Thaqit duhet të jetë krenar me të pasi që dëshmoi se punoi me dinjitet.

“Vështirë që të filloj fjalimin në këtë fillimvit për bashkëluftëtarin, shoku e bashkëqytetarin tonë që dje ishte pranë nesh e mbrëmë ra në detyrë. Familja e Sami Thaqit, duhet të jeni krenar me fëmijën tuaj qe i dha Kosovës dinjitet pasi qe dëshmoi se ai punoi me dinjitet. Samiu me shumë shokë të tij doli gjithmonë fitimtar duke dëshmuar që Kosova ka djem qe dinë dhe donë të mbrojnë atdheun. A ka argument më të fuqishëm se sa Samiu në moshën 16 vjeçar u rreshtua të luftoj për vendin. Edhe dje Samiu ishte bashkë me shumë shokë me detyra të punës, dhe as mbrëmë nuk ishte i vetëm dhe kurrë nuk do të jetë vetëm. Samiu ndahet vetëm fizikisht nga ne, veprat e tij flasin më shumë, sakrifica e tij dhe shokëve të tij qe dëshmuan që ky vend ka djem që luftojnë në të mirë të vendin e këto vepra nuk vdesin kurrë”, u shpreh ai.

Drejtori i Drejtorisë për hetimin e narkotikëve, Arsim Bytyqi, ka thënë se Thaqi ishte i angazhuar që të jepte një jetë pa rreziqe për qytetarët e Kosovës.

“E kam të vështirë se po mbaj fjalë mortore për Sami Thaqin. Samiu si pjesëtar i policisë ishte angazhuar që të jepte një jetë më të mirë e pa rrezik për qytetarët e Kosovës. Humbja e Samiut nuk është vetëm humbje e familjes por edhe humbje për Policinë e Kosovës”, tha ai.

Në emër të familjes së Sami Thaqit foli Naim Thaqi ai falendëroj të gjithë për pjesëmarrjen në varrim.

“Ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen për varrimin e vëllait tonë. Faleminiderit që ndatë dhimbjen me ne”, tha ai.

Thaqi la pas vetes gruan dhe tre fëmijë.