VIDEO - Vandalizmi ndaj Muzeut të Muzikës në Gjakovë

Një piano e shkatërruar, përreth së cilës gjenden grumbuj mbeturinash dhe muret e mbushura me mbishkrime janë pamja që e ka kapluar objektin brenda të cilit gjendet Muzeu i Muzikës në Gjakovë, i cili tashmë ka mbetur një hapësirë e vandalizuar dhe e boshatisur.

 

FOTO: KALLXO.com

Problemet nuk mungojnë as jashtë këtij ku muzeu ku që në pamje të parë bien në sy pjesët e hequra nëpër shkallët metalike të cilave u ka mbetur vetëm skeleti, e një gjë e tillë pamundëson edhe ngjitjen deri në katin e dytë ku gjendet edhe ky objekt kulturor.

Shkallët në Muzeun e Muzikës në Gjakovë. FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com

Përgjatë së mërkurës së 25 janarit KALLXO.com ka qëndruar në këtë objekt prej ku ka siguruar pamje nga gjendje në të cilën ai gjendet.

FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com

Në lidhje me këtë, KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga niveli komunal.

Një përgjigje për këtë gjendje e ka dhënë Besmir Hasi, drejtor i Muzeut të Qytetit në Gjakovë.

Në një prononcim për KALLXO.com Hasi ka shpjeguar se ky muze është hapur prej komunës së Gjakovës, e që njëkohësisht më pas ka dal një ankand për shfrytëzim të objektit, për gastronomi në katin përdhes, ndërsa në katin lartë të punësohen dy punëtorë në kuadër të muzeut.

Besmir Hasi, drejtor i Muzeut të Qytetit në Gjakovë. FOTO: KALLXO.com

Mirëpo, Hasi ka thënë se ky ankand ka dështuar prej operatorit të kaluar, edhe operatori është larguar pa ndonjë paralajmërim apo lajmërim nga komuna.

“Ne kemi bërë vrojtime të kohë pas kohshme të objektit si staf i muzeut këtu që jemi në Muzeun Etnografik, kemi shkuar dhe kemi kontrolluar dhe e kemi parë që nuk është askush aty. Njëkohësisht e kemi raportuar edhe drejtorinë e Kulturës dhe kryetarin për gjendjen që ka qenë atëherë”- ka sqaruar Hasi i cili ka thënë se më pas ka filluar komuna procedurat për një ankand të ri për shfrytëzim të pronës.

“Në atë kohë ka filluar objekti veç të vandalizohet, ka qenë vandalizmi i vazhdueshëm dhe ne si Drejtori e Kulturës i kemi marrë disa eksponate të cilat kemi mundur t’i marrim dhe i kemi sjell në Muzeun Etnografik. Më pas është bërë ankandi i dytë dhe është përzgjedhur një ofertues që ka ofertuar”- është shprehur drejtori i Muzeut të Qytetit.

“Komuna ka nënshkruar një kontratë me këtë ofertuesin, do të thotë çështjen e procedurave mandej, të intervenimit në objekt, unë si drejtor nuk jam në ngjarje për shkak se ka qenë një komision i veçantë që e ka përcjellë çështjen, por obligimet që i ka i kalojnë direkt ofertuesit dhe shfrytëzuesit të objektit”- ka shtuar ai.

Hasi ka bërë të ditur se në depot e Muzeut Etnografik të këtij qyteti gjenden disa prej objekteve si libra, fotografi, e instrumente muzikore barta e të cilave është bërë rreth vitit 2019 gjatë kohës kur kishte filluar dëmtimi i objektit ku gjendet Muzeu i Muzikës.

Disa prej objekteve që janë bartur nga Muzeu i Muzikës në Muzeun Etnografik në Gjakovë. FOTO: KALLXO.com

“Disa prej objekteve i kemi ne në depot e Muzeut Etnografik, përveç pianos që është atje për shkak se problematikë është edhe bartja për momentin. Shpresojmë se shumë shpejtë do ta largojmë edhe atë (pianon)” – ka përfunduar Hasi.

Për gjendjen e Muzeut të Muzikës në Gjakovë ka reaguar edhe asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjakovë, Mimoza Shala.

“Kultura, arti, trashëgimia, muzika, nderi, bujaria, edukata, patriotizmi, arsimi që dikur e karakterizonte qytetin dalëngadalë po bëhet sikur një përrallë “na ishte njëherë”- ka shkruar ndër të tjera Shala në Facebook.