VIDEO - Tuneli dezinfektues në Malishevë, i harxhuar

Edhe në komunën e Malishevës, si në shumë komuna të tjera është vendosur një tunel dezinfektues për shkak të pandemisë së COVID-19.

Ky tunel është vendosur në hyrje të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, por ai është harxhuar tash e disa ditë.

Në një video të siguruar nga KALLXO.com, shihet se pavarësisht hyrjes në tunel, ai nuk lëshon fare dezinfektues.

Për këtë pajisje, kjo komunë ka shpenzuar mbi 4 mijë euro.

Sipas njoftimit në ueb faqen e prokurimit publik, kompania fituese e tenderit për kabinë dezinfektuese është “Zona Park”, nga Prizreni. Kontrata me këtë kompani është nënshkruar  me 24 prill dhe vlera e kontratës është 4,750 euro.

Megjithatë, për këtë pajisje, komuna dhe kompania fituese e tenderit kanë ndarë mendime të ndryshme.

Kryetari i kësaj komune në një bisedë për KALLXO.com, Ragip Begaj ka thënë se nuk është njoftuar se dezinfektuesi i këtij tuneli është harxhuar.

“Unë e di se është ende funksional, nuk kam informatë deri në ditën e sotme. Ditën që kur janë lajmëruar se është harxhuar, ne kemi thënë me e mbush prapë me pajisje dhe unë besoj se ajo prapë do të mbushet, por ende sot nuk jam i njoftuar se ajo pajisje nuk funksionon”, tha Begaj për KALLXO.com.

Në anën tjetër, pronari i kompanisë “Zona Park”, Besnik Hoti tha se tenderi që e kanë fituar kanë qenë për furnizim me dezinfektues vetëm një herë, ndërsa nëse komuna dëshiron të bëjë rimbushjen duhet të bëjnë ofertë të re.

“Këto kabina janë vendosur në kohën më urgjente ekstreme, kur lëvizshmëria ka qenë  tash ato janë shpenzuar, ato kanë një çmim për litër, nëse dëshirojnë komuna me rimbush prapë kanë oferta dhe munden me pas prapë me dezinfektuesin”, tha Hoti për KALLXO.com.

Në Malishevë deri më tani me coronavirus janë shënuar 75 persona dhe 2 viktima.

Menaxhimi i pandemisë në Malishevë, flet Kryetari Ragip Begaj

Publiée par Kallxo.com sur Jeudi 21 mai 2020

.