Ilustrim

VIDEO: Tregtia e seksit në Iran - një biznes i fshehur para syve

Në shoqërinë konservatore islamike të Iranit, prostitucioni është i paligjshëm, i pamoralshëm dhe diskutohet rrallë. Por, në një dokumentar hulumtues nga Radio Farda e Radios Evropa e Lirë, punonjëset e seksit në Teheran e përshkruajnë këtë si një biznes rutinë.

Sheshi Haft-e Tir i Teheranit është një qendër aktivitetesh, edhe natën.

Përveç dyqaneve dhe restoranteve ka edhe biznes nën tokë.

Njihet si një nga lagjet ku prostitutat dhe klientët e tyre mund të takohen.

“Mund të shkoni kudo në qytet. Gjithmonë ka klientë”, thotë Shaparak, 22-vjeçe, punëtore seksi.

“Burri im e di se çfarë bëj, por bën sikur nuk e di, sepse fëmijët e mi nuk janë fëmijët e tij. Unë i lë fëmijët nën kujdesin e nënës sime dhe fitoj para për t’I rritur, në mënyrë që burri im të mos shpenzojë asgjë për ta. Pra, tani për tani, ai nuk thotë asgjë.”, thotë Hedie, 25-vjeçe.

Studimet e pavarura kanë zbuluar se 50 për qind e punëtoreve iraniane të seksit janë të martuara.

Shumë të tjera janë studente apo në shkollë të mesme.

Madje, një organizatë iraniane e mirëqenies zbuloi se edhe vajza 12-vjeçe punojnë në tregtinë e seksit.

Bastisjet nga policia janë të rralla, thotë Pari, e cila punon si një e ashtuquajtur “teto”, që rregullon biznesin për gratë.

“Askush nuk kapet. Asnjë krim nuk kryhet, përveç nëse kapen në vepër. Nëse nuk e shqetësoni askënd, policia nuk ju shqetëson. Ndonjëherë ju duhet të paguani ryshfet, por askush nuk më ka shqetësuar ndonjëherë. Unë nuk jam e dukshme”, thotë ajo.

Nëse dikush kapet, gjykatësi mund të vendosë për dënim me burg ose rrahje me kamxhik.

Ndëshkimi ka më shumë gjasa t’u jepet punonjësve të seksit sesa klientëve të tyre.

Disa gra thonë se presionet e ashpra ekonomike i kanë nxitur të bëjnë punë seksi.

Irani është në mes të krizës më të rëndë financiare që nga vitet 1980, e cila pjesërisht është nxitur nga sanksionet ndëshkuese të Shteteve të Bashkuara./REL