(VIDEO) Transportonin kokainë nga Belgjika e Holanda drejt Italisë, në pranga 3 shqiptarë

Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Antimafia Italiane e forcat policore të Policisë së qytetit të Breshës kanë ekzekutuar operacionin e koduar “Kristal” i cili ka çuar në shkatërrimin e një grupi trafikantësh kokaine.

Kokaina transportohej nga Holanda e Belgjika drejt Italisë, për llogari të trafikantëve shqiptarë.

Në pranga janë vënë tre shqiptarë e dy italianë të akuzuar për  pjesëmarrje në aktivitet kriminal e trafik droge e tipit kokainë në sasi të mëdha.

Hetimet e operacionit kanë nisur në 20 dhjetor të vitit 2018 pas arrestimit të një shtetasi maroken me 1 kg kokainë.

Reparti operativ i policisë së Breshës në bashkëpunim me atë të Bolonjës e Veronës zbuluan se furnizuesi kryesor i kokainës ishte një shtetas shqiptar, pronar i një lokali në komunën Travagliato.

Lokali i tij ishte shndërruar në një qendër magazinimi e shpërndarje droge.

Faza investigative e operacionit “Kristal” dokumentoi bashkëpunimin me trafikantë të tjerë e tregtimin e disa kilogramë kokainë.

Paralelisht me hetimet në Itali, operacioni është shtrirë dhe në Belgjikë e Holandë ku është zbuluar rruga e trafikimit të kokainës drejt Italisë.

Më 20 maj të 2019 në Cologno Monzese të Milanos u kapën 15 kg kokainë e nisur nga Belgjika për llogari të trafikantit shqiptar.

Droga po transportohej me një minibus të marr me qira nga një shofer italian nga qyteti i Bolonjës.

Që nga nisja e hetimeve, operacioni “Kristal” ka çuar gjithsej në arrestimin e 8 personave e sekuestrimin e mbi 16 kg kokainë. oranews