VIDEO – Toalete jashtë funksionit, uji mbi pllaka; Pamje klinika ku po trajtohen pacientët me COVID-19

Në kohën e pandemisë, higjiena dhe pastërtia janë ndër masat kryesore parandalues të rekomanduara nga institucionet shëndetësore.

Mirëpo në një video të dërguar nga një qytetar në KALLXO.com, shihet mungesë të mjeteve higjienike, papastërti dhe lageshti e madhe në toaletet e Klinikës së Pulmologjisë, aty ku po trajtohen pacientët me COVID-19.

Në videon e dërguar shihet rrjedhje e ujit nëpër hapësirat e toaleteve, ndërsa edhe brenda secilës kabinë duket që ka mungesë të madhe të pastërtisë dhe të mirëmbajtjes.

KALLXO.com edhe më herët kishte raportuar për papastërtinë dhe mungesën e sapunëve dhe dezinfektuesve në hapësirat e Klinikës së Pulmologjisë.

Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë, Rukije Mehmeti kishte fajësuar qytetarët për prishjen e toaleteve.

Ajo kishte thënë se toaletet e katit të dytë të kësaj klinike i kanë rregulluar por të njëjtat janë dëmtuar nga qytetarët brenda një jave.

Drejtoresha kishte kërkuar ndihmë nga qytetarët për mirëmbajtjen e këtyre hapësirave, pasi që sipas saj duke pasur parasysh numrin e të infektuarve në këtë klinikë dhe numrin e stafit aktiv janë qytetarët që duhet kujdesur për ti mos dëmtuar këto hapësira.

Klinika e Pulmologjisë furnizohet në baza të vazhdueshme  me materiale dezinfektuese dhe alkool.