VIDEO - TikTokerja e Kosovës me portrete në batanije

Ngjyrat dhe lapsi nuk kanë mjaftuar që Leona Izeti të shfaqë talentin e saj që ka për botën e artit.

Batanijen e saj ngjyrë hiri ajo e përdori që të vendosë vijat e shumta të cilat krijojnë portretin e një njeriu.

 

 

14 vjeçarja që jeton në Ferizaj, me punën e saj është duke u vlerësuar në shumë vende të botës dhe ka arritur mbi 1.8 milion ndjekës në TikTok.

Puna e saj ka filluar nga muaji mars, ndërsa më parë ka bërë piktura në letër.

“Kam qenë ulë dhe pranë vetës e kam pas qeben të cilët tash i vizatojë portretet dhe natyrshëm më ka ardhë me vizatu disa gjëra të vogla edhe më vonë më erdhi ideja të bëj portrete dhe pastaj e kam bë një portret dhe e kam  postu në Tiktok dhe duke e pa shikueshmërinë e lartë që e mora vazhdova që çdo ditë e deri sot me bë nga një portret të ri, qoftë këngëtarë, aktorë apo tiktoker”, ka thënë Leona.

Pjesa më e madhe e vizatimit bëhet me anë të gishtërinjve dhe me ndihmën e një mjeti të vogël.

“Vizatimet në qebe kanë një metodë tjetër, sepse duhesh me ndjek dritën e diellit edhe duhet me shiku edhe anë e fijeve të qebes, kurse në letër duhet me shfrytëzu lapsin apo ngjyrën që e përdor”

Të gjithë mbështetjen Leona e ka nga motra e saj e madhe, Luiza, e cila i ndihmon të kontaktojë me kompanitë të cilat i shkruajnë për bashkëpunim.

“Fillimisht ja kam hap një email me të cilën munden me i bë kërkesa vetëm për  biznes, por njerëzit i shkruajnë në DM të Instagramit, në Tiktok dhe në çfarë do forme tjetër prej mediave sociale”, ka thënë Luiza Izeti, motra e Leonës.

Për të gjithë punën që bën Leona nuk ka ndjekur ndonjë kurs për art, por talentin e ka të trashëguar nga familja.

“Leona nuk është se ka ndjekë ndonjë kurs për art, mirëpo e ka të lindur pasi që ne krejt në familje kemi talent për art.”, ka thënë Izeti.

Portretet të cilat punohen në qebe Leona i poston në TIktok dhe pastaj ato fshihen nga batanija.