VIDEO - Thaçi parakalon në FSK, tregon objektivat e ushtrisë

Me uniformë ushtarake, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka hyrë sot rreth orës 16:45 në kazermën e FSK-së “Adem Jashari” për të mbajtur një fjalim para ushtarëve të kësaj force, pak orë pasi një ceremoni për ndër të 12 vjetorit të pavarësisë ishte mbajtur pa praninë e tij.

Në ceremoninë e paradites aty kishin qenë kryeministri Albin Kurti, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ministra e ambasadorë të huaj të akredituar në Kosovë.

Thaçi u mbajti një fjalim ushtarëve pas një parakalimi që u bëri togave të rreshtuara për nder të ardhjes së tij.

“Sot kur Kosova feston 12 vjetorin e pavarësisë është nder dhe privilegj të jem para jush, të jem në mesin tuaj, në këtë ditë të madhe, historike dhe të bekuar,” tha Thaçi.

“Për të ardhur në këtë ditë kur Kosova ta ketë ushtrinë e vet u desh shumë punë, mund e sakrificë,” shtoi ai.

Thaçi falënderoi shtetet që e mbështetën Kosovën gjatë luftës, në transicion, në periudhën e shtetndërtimit dhe atyre që sot i japin ndihmë shtetit të Kosovës.

“Qytetarët dhe shteti ynë krenohen me ju,” u tha Thaçi ushtarëve të FSK-së.

“Në etapën e dytë, Ushtria e Kosovës synon objektiva të reja drejt konsolidimit të forcimit të mëtutjeshëm, plotësimin me kuadro drejtuesve dhe trajnimin logjistik me pajisje më moderne,” tha ai.