VIDEO- Studentët e Fakultetit të Mjekësisë bllokojnë hyrjen e Dekanatit

Disa studentë të Fakultetit të Mjekësisë, konkretisht ata të Mjekësisë së Përgjithshme dhe Stomatologjisë, sot në mëngjes nuk kanë lejuar asnjë zyrtar të Dekanatit të këtij Fakulteti që të hyjë brenda, si shenjë proteste për kriteret që i kanë për përmbylljen e vitit akademik.

Megjithëse e kanë penguar stafin e KALLXO.com që të marrin pamje në këtë protestë, ata kanë treguar se po kundërshtojnë provimet shtesë që i kanë për t’u regjistruar si studentë në vitin vijues.

“Fakulteti i ka vendosur dy provime shtesë që na me vazhdu vitin akademik dhe kemi ardhë me kundërshtu”, tha njëri nga studentët, i cili deshi të mbetet anonim.

Por, dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka- Kërliu ka sqaruar për KALLXO.com se problemi qëndron në programin e Mjekësisë së Përgjithshme dhe Stomatologji, pasi që sipas saj disa lëndë dëgjohen në dy vite, përkatësisht në semestrin pranveror dhe dimëror, por provimi mbahet në fund.

“Sipas rregullores ECTS kreditë arrihen vetëm kur përfundon provimi, rrjedhimisht disa studentë nuk i kanë përfunduar provimet e vitit paraprak të obligueshme për t’i fituar kreditë e vitit paraprak. Sipas vendimit të Senatit, nuk mund të regjistrohet viti i tretë akademik pa i përfunduar provimet e vitit të parë (Biokimisë) dhe po ashtu nuk mund të regjistrojnë vitin e katërt, pa i përfunduat provimet e vitit të dytë (Patologji, Patofiziologji dhe Mikrobiologji)”, tha dekania.

Ajo shtoi se kërkesa e studentëve që Fakulteti i Mjekësisë ta largojë kriterin për përmbylljen e provimeve të viteve paraprake dhe që të vazhdojnë studimet është refuzuar nga Komisioni për Studime Themelore i Fakultetit të Mjekësisë, pasi që sipas saj është në kundërshtim me vendimin e Senatit dhe rregullores së Fakultetit.

“E njëjta çështje është proceduar edhe në Këshillin e Fakultetit të Mjekësisë e mbajtur të hënën me datë 4.11.2019, e për të cilën nuk u mor vendim në mënyrë që të gjendet bazë ligjore për kërkesën e studentëve”, shtoi Manxhuka- Kërliu.

Dekania e Fakultetit të Mjekësisë thotë për KALLXO.com se pas protestës së sotme të studentëve është takuar edhe me rektorin e UP-së, Marjan Dema dhe përfaqësuesit e studentëve por s’është gjetur një zgjidhje.

“Unë së bashku me prodekanin për çështje akademike kam realizuar takim urgjent me rektorin edhe prorektorët për t’i njoftuar për situatën e krijuar. Rektori ritheksoi qëndrimin tim dhe të këshillit se aktet ligjore të UP nuk shkelen, përfshirë këtu edhe vendimet e Senatit. Në ketë takim u dakorduam se bashku që të realizojmë një takim që unë si dekane, me prodekanin, me përfaqësues të studentëve, për t’i informuar se një grup i tyre së bashku me prodekanin dhe prorektorët të diskutojnë mundësinë e një propozimi që ka bazë ligjore e i cili të diskutohet si pikë e veçantë e rendit të ditës në një mbledhje urgjente te Senatit”, tha ajo.

Ajo shtoi se vetëm Senati mund t’i ndërrojë vendimet paraprake.

“Por, studentet përkunden këtij propozimi pranuan të jenë pjesë e takimit në Rektorat por nuk ndërpresin protestën duke bllokuar punën e Fakultetit të Mjekësisë derisa nuk vendos Senati në favor të tyre”, tha Manxhuka-Kërliu.

KALLXO.com ka dërguar pyetje edhe në Rektorat për të marrë përgjigje nëse Senati do të marrë ndonjë vendim për këtë çështje, por deri në publikimin e këtij raporti nuk ka marrë përgjigje.