(VIDEO) Sokol Halili garon si i pavarur për kryetar të Skenderajt

Sokol Halili ka shpallur kandidaturën si kryetar i pavarur për Komunën e Skenderajt për zgjedhjet komunale që priten të mbahen më 17 tetor të këtij viti.

Juristi i diplomuar i cili la Zvicrën për të vazhduar si biznesmen në Kosovë, në një intervistë për KALLXO.com bënë thirrje qytetarëve të Skenderajt që ta përkrahin sepse siç thotë ai, Skenderaj ka nevojë për ndryshim dhe çkapje.

E një nga arsyet që i është futur kësaj gare është pikërisht çkapja e insituticioneve komunale nga pushteti akutal dhe ai i kaluar.

Ai shprehet edhe pesimist për punët që janë kryer deri më tani në Skenderaj.

Halili thotë se ndryshe nga kundërshtarët e tij politik nuk do të thirret në “vlerat e luftës”.

“I kam hyrë kësaj gare dhe bënë thirrje nga njerëzit që t’i bashkohën iniciativës qytetare për Skenderajn, për ta gjetur vetëveten. Duke parë ngecjet dhe injorimin e njerëzve më të mirë që ka komuna e Skenderajt dhe Drenica e Kuqe, unë kam vendos që me gjithë potencialin tim njerëzor, financiar t’iu tregoj Drenicës së Kuqe ashtu siç iu kam treguar në vitin 1998 duke ardhur nga Zvicra për t’i dalë vendit tim zot dhe sot jam invalid i luftës. Asnjëherë nuk do të thirrëm në vlera të luftës, sepse duke i parë gjithë komandatë të cilët i quajë “mercenarë” që i kanë humb vlerat e luftës duke u thirrur në to, e duke bërë gjithë këto dallavere në kurrizin e qytetarëve është një injorim i cili nuk mund ta durojë më as qytetari i Skenderajt as i Kosovës në terësi”, u shpreh Halili.

Ai ka premtuar se për disa projekte që nuk mund t’i realizojë përmes buxhetit të Komunës do t’i realizojë nga buxheti i tij.

“I premtoj qytetarët e Skenderajt se ashtu siç kam fillu me projekte të dukshme janë nga Aqareva, Tica, Plluzhina me ndriçim publik. I premtoj qytetarët e Skenderajt se në dy vitet e para të qeverisjes sime do ta shlirojë Skenderajin dhe Drenicën e Kuqe nga kapja e individëve sikurse Sami Lushtaku dhe Bekim Jashari”, ka thënë tutje ai.

Garën për Komunën e Skenderajt deri më tani e ka konfirmuar ish- kryetari Sami Lushtaku.

Lushtaku është propozuar nga dega e PDK-së në Skenderaj, por i njëjti ka marrë përkrahjen edhe nga PDK-ja në nivel qendror.