Foto: KALLXO.com

VIDEO - Situatë e qetë në veri, rrëmuja e barrikadat mbesin, qytetarët shpërndahen

Mbetje të mjeteve piroteknike, shok-bombave, vetura të dëmtuara e barrikadat e vendosura në mes të rrugës në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në këtë kohë kur tashmë ka filluar të errësohet.

Që nga mëngjesi Policia dhe Dogana e Kosovës kanë ndërmarrë operacion kundër kontrabandës së mallrave në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë të Jugut dhe Mitrovicë të Veriut.

Në Mitrovicë të Veriut njësitë e Policisë dhe të Doganës janë përballur me protesta të dhunshme të banorëve serbë.

Në këto incidente ka pasur të lënduar e të plagosur edhe në radhët e Policisë edhe të protestuesve. Gjatë këtyre incidenteve janë përdorur mjete të forta kundër policëve si dhe janë dëgjuar të shtëna armësh e shpërthime granatash.

Megjithatë, situata aktualisht duket e qetë ndërsa KALLXO.com mëson se mbrapa barrikadave të krijuara në Lagjen e Boshnjakëve edhe qytetarët kanë nisur të shpërndahen.

Policia e Kosovës po kërkon dhjetë persona nën dyshimin për kontrabandë me mallëra.

Policë të njësive speciale janë lëndusr nga shpërthimi i granatave të dorës të cilat janë hedhur nga qytetarët serbë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

Përveç zyrtarëve policorë janë sulmuar edhe gazetarë, kameraman e fotoreporter të mediumeve të ndryshme në Kosovë.

Një ngjarje e tillë i ka ndodhur edhe ekipit të KALLXO.com rrugës për në Zveçan, ku një turmë qytetarësh kanë hedhur mjete piroteknike e edhe mollotov në drejtim të veturës së gazetarëve.

Në Lagjen e Boshnjakëve në afërsi të Shkollës Teknike qytetarët serbë kanë hedhur më shumë se tri herë mjete piroteknike, shok-bomba e mollotov në drejtim të gazetarëve duke u munduar qe të pengojnë raportimin për situatën e krijuar sot në veri të Kosovës.

Vetëm pak metra larg Shkollës Teknike janë parë edhe ekipet e EULEX-it, të cilët po qëndronin në veturat e tyre.

Ekipi i KALLXO.com ka qëndruar gjatë gjithë ditës në pika te ndryshme të veriut të vendit.

Në rrugën për Zubin Potok siç merr vesh KALLXO.com një qytetar ka përdorur të njëjtën strategji me bllokimin e rrugës kryesore.

Ai ka venë një automjet të rëndë në mes të rrugës dhe është larguar.

Rruga në atë pjesë ishte e bllokuar në njërën korsi.

Një situtatë e qetë nuk u pa në Zveçan gjatë gjithë ditës. Qytetarët nuk lejuan asnjë veturë të gazetarëve të kalonte në atë pjesë. Me të parë veturat të njejtit ndeznin mjetet piroteknike dhe rrethonin veturat duke pamundësuar kështu raportimin direkt nga ajo zonë.

KALLXO.com nga vendi i ngjarjes sjell pamje aktuale të situatës në afërsi të Shkollës Teknike në Mitrovicën e Veriut.

www.kallxo.com