Video - Situata me vërshimet në Suharekë

Fshatrat Nëpërbishtë, Studentqan, Leshan dhe Reshtan në Suharekë janë të prekura më së shumti në këtë komunë nga të reshurat e fundit të shiut dhe të borës që kanë mbizotëruar në vend.

Drejtori për Shërbime Publike, Mjedis dhe Emergjencë në Komunën e Suharekës, Enver Shabani në një prononcim për KALLXO.com ka treguar se gjendja në Suharekë ka filluar të vështirësohet.

Sipas Shabanit, në fshatrat e thella kodrinore-malore ka pasur edhe rrëzim të lisave duke e bllokuar edhe rrugën.

“Gjendja në Suharekë ka filluar të vështirësohet. Mbi 50 për qind e fshatrave kanë qenë të prekura. Ka ekonomi familjare të dëmtuara, përkatësisht nëpër bodrume dhe oborret e mbushura me ujë. Ka edhe raste të qytetarëve që nuk kanë arrit as me shku në punë për shkak të vështirësive me u qasë në rrugë. Shtrati i lumit Toplluha në fshatin Neperbisht ka dalë nga shtrati, ka rreziku lagje të tëra. Është fatbardhësi që nuk kemi viktima në njerëz. Jemi në gjendje gatishmërie 24 orë me zjarrfikësit dhe operatorët ekonomik. Na si e komunë e kemi pak të vështirësuar situatën sepse në vendet kodrinore-malore kemi reshje të borës andaj ka pasur edhe rrëzim të lisave dhe nxënie të rrugëve në fshatin Delloc, Maqitevë dhe në fshatra të thella malore. Andaj na e ka vështirësu situatën, sepse i kemi ekipet e veçanta, një për hapjen e rrugëve dhe në kërkim-shpetim, i kanë pajisur njerëzit dhe kanë marrë pjesë në aktivitete zhytëse”, ka thënë Shabani.

Ai u shpreh se kërkesat janë më të mëdha se sa mundësitë që i kanë në dispozicion si Komunë, pasi që thotë se mungojnë pajisjet.

“Fshati Nëpërbishtë është ndër më të rrezikuarat pasi të gjitha ujërat orientohen derdhen aty. Pastaj vjen Studenqani, Leshani, Reshtani, në qytet nuk kemi asnjë problem. Rruga që të shpie për Nëpërbisht është e bllokume, sepse niveli i shtratit të lumit është ngritur. Kërkesat janë më të mëdha se sa mundësitë që i kemi me i përbëllu ne si Komunë, edhe pse i kemi ndërmarr të gjitha masat, kemi marr edhe vullnetar shtesë por pajisjet na mungojnë”, u shpreh ai.

Shabani ka dërguar disa video edhe nga gjendja e vërshimeve në Suharekë.