VIDEO - Si u ulën çmimet e disa barnave deri në 7 herë sipas listës së re krahasuar me të vjetrën?

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar listën e re e cila përcakton çmimet e barnave, pasi që ajo e kaluara ishte anuluar pas ankesave të pranuara. Dallimet në çmimet e disa prej barnave nga lista e vjetër me listën e re janë të thella.

Më shumë se 7 herë më i ulët është çmimi i kremit “Travazol” që përdoret zakonisht për trajtimin e infeksioneve apo sëmundjeve të lëkurës. Përderisa në listën e kaluar, ai kishte çmimin 11 euro e 27 centë, në listën e re çmimi i tij është 1 euro e 51 centë.

Te produkti tjetër “Dasatinib” dallimi është 1 mijë e 188 euro. Çmimi i këtij ilaçi që trajton kancerin ka rënë prej 4 mijë e 108 euro e 10 centë, në 2 mijë e 920 euro e 10 centë.

Këto çmime janë për shitje me pakicë, ndërsa për shitje me shumicë çmimet janë edhe më të ulëta në të dyja listat, për të gjitha barnat.

Dallim i tillë vërehet edhe te “Diloxol” 75 mg, i cili përdoret për parandalimin e mpiksjes së gjakut: prej 19 euro e 65 centë, çmimi është ulur në 4 euro e 6 centë. Ngjashëm, “Rivoksar” 10 mg që është hollues i gjakut ka rënë prej 14 euro e 84 centë në 6 euro e 75 centë.

Çmimi i “Clariscan” në shishe 10×10 ndryshon prej 230 euro e 68 centë në listën e parë në 118 euro e 51 centë në listën e dytë. Ndërsa, “Tracsus” ndryshon prej 62 euro e 42 centë në 35 euro e 32 centë.

Lëvizje të tilla çmimesh ka edhe në shumë barna të tjera në këto lista që numërojnë 2 mijë e 342 produkte medicinale e para, dhe 2989 e dyta.

Komisioni që përpiloi listën e fundit përbëhet nga kryesuesja Virtyte Krasniqi dhe anëtarët Ilir Kurti, Bashkim Sadiku, Sulltane Havolli, Besnik Stavileci, Hilmi Shala dhe Krenare Maraj.

Komisioni i listës së kaluar përbëhej nga të njëjtët anëtarë, përveç Krenares Marajt, në vend të së cilës ishte Besim Azemi.

Lista e re, e publikuar më 6 shtator hyn në fuqi dhe duhet të zbatohet vetëm pas përfundimit të procedurës së ankimimit që zgjat 30 ditë.

Lista e parë e çmimeve të barnave ishte miratuar më 15.05.2024, 10 muaj pas miratimit të Ligjit për Çmimin e Produkteve Medicinale, i cili e parasheh që kjo listë të publikohet 4 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit, e zbatimi të fillojë 6 muaj pas.

Ndonëse u publikua me vonesë, kjo listë nuk pati kohë as të zbatohet sepse u anulua pas rreth tri javësh, më 06.06.2024.

Kur ishte miratuar si Projektligj nga Qeveria e Kosovës, më 08.03.2023, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte thënë se për herë të parë në vendin tonë po krijojnë një sistem rregullativ për çmimin e barnave.

“Kësilloj qytetarët tanë, me hyrjen në fuqi të Ligjit do të jenë të mbrojtur nga çmimet abuzuese, të papërballueshme e të paunifikuara të barnave anekënd vendit tonë, ndërsa shpenzimet për furnizimin me barna nga buxheti i shtetit më të përballueshme dhe më të kontrolluara” – kishte thënë Vitia.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, atë ditë pati thënë se barnat duhet të jenë edhe të disponueshme, edhe të përballueshme e se ky Projektligj mundëson vendosjen e çmimeve tavan dhe të unifikuara për ilaçet.

“Nuk mjafton që ato të jenë në raftet e barnatoreve, nëse nuk janë në sirtarët e shtëpive tona. Nuk mjafton që t’i ketë farmacisti, nëse nuk i ka pacienti. Na duhen të dyja, pa kursyer shëndetin dhe duke kursyer xhepin” – kishte thënë i pari i ekzekutivit një vit më parë.

Si përcaktohen çmimet e barnave?

Ligji për Çmimin e Produkteve Medicinale ka parashikuar metodologjinë e përcaktimi të çmimit të barnave, e cila bëhet nga komisioni i emëruar nga ministri, i përbërë nga 7 anëtarë.

Bazë e përcaktimit të çmimit është metodologjia e çmimeve referente të jashtme.

“Burimet e të dhënave në lidhje me çmimin me shumicë të produkteve medicinale janë publikimet e raporteve zyrtare më të reja të kohës, portali zyrtar në rrjet i institucioneve përgjegjëse zyrtare të këtyre shteteve referente: Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Kroaci dhe vendi i origjinës” – thuhet në nenin 8.2 të këtij Ligji.

Ligji parasheh 4 lloje të çmimeve: çmimi me shumicë, çmimi me shumicë për produkte gjenerike, çmimi me pakicë dhe çmimi me pakicë për produkte gjenerike.

Produktet gjenerike janë produkte të zhvilluara që të jenë të njëjta sikurse produkti medicinal paraprakisht i autorizuar. Ato përmbajnë të njëjtën substancë si produkti origjinator dhe përdoren në të njëjtën dozë për të trajtuar sëmundjen e njëjtë. Gjenerikët prodhohen pas skadimit të patentës për ilaçin origjinal apo të drejtave të tjera ekskluzive dhe pa licencë nga ana e kompanisë inovatore, duke ofruar një alternativë më të përballueshme.

Ky akt normativ rregullon edhe lartësinë e marzhës, publikimin zyrtar të çmimeve, mbikëqyrjen, të drejtën e ankesës dhe sanksionet kundërvajtëse.

Organi epror që shqyrton ankesat ndaj listës zyrtare të çmimeve është Komisioni i Ankesave, i emëruar po ashtu nga ministri, i përbërë nga 5 anëtarë, me mandat 3-vjeçar.

Sanksionet kundërvajtëse ndaj atyre që shkelin këtë Ligj janë gjoba nga 1 mijë deri në 10 mijë euro dhe inicimi i procedurës për revokimin e licencës së farmacistit dhe/apo licencës së farmacisë.

Mbikëqyrja e zbatimit të këtij Ligji bëhet nga Inspektorati Farmaceutik.