VIDEO- Si po menaxhohet situata me COVID-19 në Drenas?

Drenasi ishte ndër komunat e pakta në Kosovë që nuk pati raste aktive me sëmundjen e COVID-19.

 

 

Drejtori i Qendrës Kryesore Familjare në Komunën e Drenasit ka thënë se që nga fillimi në këtë komunë i gjithë personeli mjekësor ka qenë në detyrë.

Sipas tij, afër 200 persona kanë qenë në mbikëqyrje që prej kur është shfaqur pandemia më 13 mars në vendin tonë.

“Që prej kur është shfaqur COVID-19, kanë qenë 199 persona në mbikëqyrje dhe në izolim. Çdoherë i kemi thirr i kemi pyet për gjendjen e tyre shëndetësore, plus i kemi vizituar me ekipet mjekësore”, ka thënë Ismet Bogiqi në një intervistë për KALLXO.com.

Ai ka shtuar se po vazhdojnë monitorimet për infektime të mundshme në këtë komunë.

“Ne prej asaj kohe, kemi punuar me ekipe shëndetësore, i kemi pasur gjithsejtë 26 ekipe, shërbimi është dhënë 24 orë, një ekip ka qenë gjithnjë në gjendje gatishmërie. Nga 199 persona që kanë qenë në vetë izolim, 175 veçse e kanë përfunduar kohën e vetë izolimit tash është pjesë tjetër. Ne jemi duke i monitoruar çdo qytetar që mund të jetë i dyshuar, coftë nëpër kufi apo aeroport”, tha tutje drejtori i QKMF-së në Drenas.

Sipas tij, virusi ende nuk ka kaluar dhe qytetarët duhet të kenë kujdes. Ndërsa, tha se po vazhdon përkushtimi i ekipeve mjekësore nëpër secilën qendër të mjekësisë familjare.

“Gjatë kësaj kohe janë dezinfektuar të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në territorin e Drenasit në bazë të IKShP-së. Kemi pas edhe një ekip konsultativ ka qenë në punim por edhe reparte tjera, krejt stafi në fakt ka qenë i angazhuar gjatë kësaj kohe të pandemisë. Ne mund të themi që nuk kemi pasur asnjë rast. Një rast i dyshimtë ka qenë në Zabel të Ulët. Më se 50 teste i kanë bërë banorët e Drenasit, të gjithë kanë dal negativ. Ne zyrtarisht i kemi dy, por mund të themi që s’kemi pas sepse ata s’kanë qenë me vendbanim në Drenas. Sot mund të themi se gjendja nuk ka kaluar, ka ndodhur një lëvizje enorme e popullatës një lirim shumë shpejtë, virusi është në mes nesh duke jetuar”, tha tutje ai.

Në Kosovë deri më tani janë konfirmuar si të infektuar 1 mijë e 234 raste. Prej tyre, të shëruar janë 890 pacient dhe kanë vdekur 31 persona.

Këtu mund ta ndiqni intervistën e plotë me Ismet Bogiqi, drejtor i QKMF-së në Drenas: