VIDEO: Si po funksionon Burgu i Smrekonicës gjatë pandemisë COVID-19  

Emisioni i fundit ‘Drejtësia në Kosovë’ transmetoi pamjet e qendrës Korrektuese në Smrekonicë të Vushtrrisë ku aktualisht janë duke e vuajtur dënimin 140 të burgosur.

Qendra Korrektuese në Smrekonicë është një qendër e tipit të hapur pra kryesisht të vendosurit në këtë burg vuajnë pjesën e fundit të mbetur të dënimit.

Vizita ishte bërë gjatë kësaj jave për t’i parë masat të cilat janë marrë për parandalimin e virusit ‘Covid-19’.

Ekipa e emisionit DNK fillimisht ishte kontrolluar para futjes në ambientet e burgut. Masat e ndërmarra ndaj ekipit ishin si matja e temperaturës dhe dezinfektimi i duarve të cilat u bënë nga ana e kryeinfermierit të kësaj qendre korrektuese.

Mbledhja e mëngjesit të kësaj jave dallonte pak nga ato të zakonshmet që mbahen vazhdimit në ketë qendër korrektuese. Mbajtja e distancës sociale vërehej te stafi i burgut.

Punëtorët korrektues që janë me probleme shëndetësore dhe ata mbi moshën 60 vjeçare nuk janë duke punuar as në ketë qendër sikur që nuk janë duke punuar as në qendrat tjera apo burgjet tjera të Kosovës.

Një gjë të tillë e kishte konfirmuar në një intervistë ditë më parë drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës Nehat Thaqi, duke i treguar masat e marra për parandalimin e futjes se virusit ne burgjet e Kosovës.

Ky plan është duke  vazhduar ende. Drejtori i Qendrës Korrektuese në Smrekonicë, Xhevdet Maqestena, mbledhjen e mëngjesit e ka hapur duke ju treguar se plani operativ për mbrojtjen nga virusi do të vazhdoj për kohë te pacaktuar.

“Para se me fillua të premten kemi marr udhëzimin e ri që vazhdojmë me zbatimin e planit operativ për parandalimin e pandemisë aktuale qe është deri ne një notim tjetër kjo ka ardhur nga Ministria e Drejtësisë gjegjësit Drejtori i Shërbimit Korrektues, qe vazhdojmë më masat dhe veprimet e njëjta”, tha Maqestena.

Se plani është duke vazhduar e thotë edhe doktori i kësaj qendre korrektuese.

“Po vazhdon plani i zbatimit sipas rekomandimeve menaxhimi i situatës me covid-19, gjatë javës kryhen vizita sistematike se paku 2 herë ne jave të dënuarve, monitorimin e higjienës ne pavijon dhe kuzhinë e po ashtu vizitojmë gjithë të dënuarit dhe bisedojmë me ta për gjendjen po ashtu kryhen vizitat e kërkuara dhe momentalisht gjendja është e mirë”, thotë Henci.

Nga salla e takimeve të mëngjesit ekipa e DNK-së ishte nisur drejt ambulancës se kësaj qendre për ta parë se sa janë të pajisur me barna. Kryeinfermieri i kësaj qendre korrektuese Bekim Peci ka treguar se barnatorja është e pajisur me te gjitha barnat që i ka lista esenciale e Ministrisë së Shëndetësisë.

Nga ambulanca mjeku dhe infermieri nisen drejt pavijonit ku i kontrollojnë të dënuarit siç na thonë ata dhe të burgosurit me masa me të shtuara ne kohën e pandemisë.

Për ta parë pastërtinë dhe furnizimet me mjetet higjenike, banjat e pavijonit i vizitojmë bashkë me mbikëqyrësin  e lartë të qendrës korrektues në Smrekonicë Agron Thaçi.

“Gjendemi në banjat e pavijoneve ku behët pastrimi i të dënuarve çdo ditë dhe ka ujë të mjaftueshëm të nxehtë 24 orë,  pastrimi bëhet me kohë sipas orarit dhe ka edhe mjete higjienike e po ashtu edhe çdo dhomë është pajisur me shampon të duarve, sapun të duarve me mjete dezinfektuese dhe të gjitha të tjerat”, thekson Thaçi.

Te burgosurit tregojnë së për pastërtinë e dhomës kujdesën secili për dhomën e vetë pasi që kjo është e rregulluar me rregullin shtëpiak.

“Secili kujdeset për dhomën e vet sepse kjo është e rregulluar me rendin shtëpiak këtu, mjetet higjienike na i sjellin ato çka kanë, kemi ca gjera kish pas nevojë ende ma shumë sepse p sh maskat janë një përdorimesh këta nuk na sjellin maska për çdo ditë na kane sjellë nga një maskë”, thotë një i burgosur ndërsa një i burgosur tjetër thotë se e ka maskën por nuk e përdor ne dhomë por vetëm kur del jashtë.

“Tu kalua mirë jemi shumë sa i përket mjekëve janë gjithmonë me ne e ne jemi me ta mundohemi deri ne maksimum me i përmbajt rregullat qe janë dhanë nga lart edhe kështu vazhdojmë jetën, maskën e kam por e përdori vetëm kur dalë jashtë jo edhe brenda”, thotë ky i burgosur.

Masat e ndërmarra janë të mjaftueshme për të garantuar pastërtinë sipas drejtorit të kësaj qendre korrektuese Xhevdet Maqestena.

“Me pajisje me maska dhe dorëza besoj që jemi të pajisur mirë mirëpo të dënuarit nuk kanë kontakt me boten e jashtme dhe për këtë arsye ata nuk i përdorin sepse edhe nuk është e lehte që një i dënuar të qëndroj me dorëza dhe maske gjatë gjithë kohës”, Tha Maqestena

Përveç frikës nga virusi një i dënuar tjetër ka edhe një shqetësim tjetër. Pezullimi i punës së panelit për lirim me kusht sipas këtij të burgosuri nëse ky panel do ishte aktiv ai tashmë do e fitonte kushti që të ishte ne liri.

“Unë me kusht është dashur të lirohem që një muaj ditë por puna e pezullimit që janë pezulluar të gjitha lëndët mua mu ka pezulluar edhe vendimi im unë prej sot e humbi edhe punën sepse kam pasur me u kthyer ne punë me 30 mars dhe unë ende jam ne vuajtje”, thekson ky i burgosur.

Skender Çoçaj, kryesuesi i KGJK-së ka konfirmuar se paneli pritët të filloj seancat e shqyrtimit këtë të premte.

“Paneli do filloj punën nga kjo e premte pra me 03 prill 2020, dhe me urgjencë do ti trajtojmë të gjitha kërkesat”, ka thënë Çoçaj për DNK.

Në Kosovë, që nga data 13 mars e deri më sot janë konfirmuar 132 raste me coronavirus. Nga këta persona 16 janë shëruar ndërsa është shënuar edhe një viktimë.

Një varg masash ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për të parandaluar përhapjen e coronavirusit në Kosovë. Njëra ndër to është edhe ndalimi i lirë i qarkullimit për vozitës e këmbësorë pas orës 17 përveç rasteve emergjente.