VIDEO: Si po funksionon Burgu i Dubravës në kohën e pandemisë

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan pamje ekskluzive brenda Burgjeve të Kosovës në kohën e pandemisë coronavirus.

Ekipi i Drejtësia në Kosovë ka arritur nga afër të shoh nëse burgjet në Kosovë kanë mjetet e duhura për të parandaluar përhapjen e coronavirusit dhe se a janë pajisur këto burgje me pajisjet mjekësore të rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Në KALLXO.com gjatë javës është raportuar se në Burgun e Dubravës kishte persona të prekur me zhgjebë.

Ekipi i Drejtësia në Kosovë, nuk është lejuar që të futet në pavijonet e Burgut të Dubravës ndërsa të burgosurit kishin telefuar në zyret e KALLXO.com për të ngritur shqetësimet e tyre në lidhje me mungesën e pajisjeve mjekësore për të parandaluar coronavirusin.

Njëra ndër masat e ndërmarra në Burgun e Dubravës ishte edhe ajo që personat nga jashtë burgut të mos kenë kontakt me të burgosurit.

Hivzi Syla Drejtor i Burgut të Dubravës ka treguar se mungojnë dorëzat për të burgosurit.

“Dorëza nuk kanë të gjithë të burgosurit përpos atyre që bëjnë pastrimin e pavijonit dhe bëjnë shpërndarjen e ushqimit ndërsa maska kanë të gjithë. Kemi pranuar donacione të ndryshme dhe në çdo hyrje të vendpunimet ka dezinfektues”, tha drejtori.

“Mungesa të pastërtisë nuk ka. Hapësirat e përbashkëta mbahen prej të dënuarve dhe banjot janë të përbashkëta dhe mirëmbahen nga të dënuarit. Dhomat janë në vete dhe të dënuarit duhet të mbajnë higjienën e dhomës”, shtoi drejtori.

Tutje ai përmendi edhe rastin e zhgjebës e cila i kishte rënë disa nga të burgosurve.

“Kjo është e vërtetë, në burgjet e Kosovës nuk është risi por qëlloi në këtë situatë të pandemisë sepse në raste të tjera, ne menjëherë i marrim masat dhe i izolojmë. Në këtë rast i kemi pasur në pavijonin katër që kanë qenë 11 dhe kjo vjen si pasojë e ndonjëherit prej tyre që nuk kujdeset për higjienën e vet, edhe ajo tjetra që nuk e lajmërojnë po e them në mënyrë popullore e kemi zhugën dhe me i përqesh të tjerët del e gabueshme sepse në ato momente ish izolu një apo dy por na është dashur ta izolojmë një pavijon me 40 të burgosur”, tha drejtori.

Në lidhje me ankesat e të burgosurve Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve nga Tortura tregon se kanë shqyrtuar ankesat dhe pranon se në burgje nuk ka pasur mjaftueshëm pajisje për parandalimin e coronavirusit.

“Në bazë të vizitave monitoruese që kemi bërë në shkurt dhe mars, kushtet higjienike dhe sanitare nuk ka qenë të kënaqshme në raport me përgatitjen në kohën e pandemisë. Gjatë vizitave i kemi kushtuar rëndësi pajisjeve mjekësore dhe higjienike dhe nuk ka pasur masë të duhur. Duke pasur parasysh kushtet sidomos në Dubravë mungesa e pajisjeve të duhura higjienike do ta vështirësonte situatën “, tha Haliti.

Ajo shtoi se gardianët e burgjeve duhet të kenë kujdes në kontakte me njerëz për shkak se një pjesë të kohës janë jashtë objekteve të burgjeve.

“Ne kemi marrë informaconin prej mediave që kanë dalë dy gardian pozitiv me coronavirus, prej masave që janë ndërmarrë është një siguri që prej Mitrovicës nuk mund të përhapet virusi në qendra të tjera por edhe kjo duhet të merret me shqetësim pasi që të burgosurit brenda nuk kanë kontakte me familje dhe janë oficerët që një pjesë të kohës janë jashtë burgut dhe për shkak të kontakteve mund të bartin virusin brenda burgut”, shtoi ajo.

Në Kosovë, që nga data 13 mars e deri më sot janë konfirmuar 132 raste me coronavirus. Nga këta persona 16 janë shëruar ndërsa është shënuar edhe një viktimë.

Një varg masash ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës për të parandaluar përhapjen e coronavirusit në Kosovë. Njëra ndër to është edhe ndalimi i lirë i qarkullimit për vozitës e këmbësorë pas orës 17 përveç rasteve emergjente.