Pamje: Si kërcënohej furrtari nga Prizreni për t’i kthyer paratë me kamatë?

 

Në emisionin e sotëm të “Drejtësia në Kosovë” u shfaqën pamjet ekskluzive të aksionit të Prokurorisë Themelore në Prizren në luftën e tyre ndaj fajdeve.

Një furrtar nga Prizreni ishte viktimë e dy personave të dyshuar të cilët merreshin me fajde.

Vetë dëshmitari kishte treguar për prokurorinë se ai kishte marrë para nga dy vëllezër e më pas ata i kishin kërkuar kamatë të lartë.

“Nga vëllai i parë fillimisht kam marrë shumën prej 3 mijë eurosh me kamatë 25 % katër muaj pas shtatorit kam marrë edhe 37 mijë euro për të cilën kam nga 6 mijë e 100 euro kamatë në muaj” ishte njëra nga dëshmitë e një viktime të fajdeve në Prizren e cila bëri që Prokuroria Themelore të nis punën për të goditur rrjetin e fajdeve.

Prokurorja e cila kishte marrë rastin, kishte paraqitur në kërkesën për paraburgimin e të dyshuarve edhe provat që kishte.

“Mënyra e kryerjes së veprës penale, më 16.12.2009, të pandehurit kanë kërkuar nga viktima ose ta paguaj kamatën ose ta lëshoj shtëpinë”, ishte një nga rastet që prokurorja Arjana Shajkovci kishte paraqitur para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Viktima herën e dytë kur kishte marrë nga vëllai i dytë 11 mijë e 250 euro ku duhet të i kthente me kamatë prej 15 përqind, vëllezërit e dyshuar e kishin kërcënuar se nëse nuk i kthente 50 mijë euro do të ia merrnin shtëpinë.

“Pas pranimit të informatës nga pala e dëmtuar me datë 5 dhjetor 2019 kemi filluar procedurën hetimore për dy persona të dyshuar emrat e të cilëve tani janë të njohur. Nga data 5 dhjetor deri në 16 dhjetor kemi ndërmarrë veprime hetimore e më pas ka rezultuar me sukses, më 16 dhjetor është zhvilluar një bastisje në shtëpitë e banimit të personave të dyshuar dhe gjithë kjo bastisje ka rezultuar me arrestimin e tyre pasi që kemi konsideruar se kemi prova për ta”, tha Prokurorja Shajkovci.