VIDEO - Si e përshkruan avokati i Sami Lushtakut parashkrimin e lëndës për arratisjen nga QKUK

Sonte në emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’, avokati i Sami Lushtakut, Artan Qerkini ka treguar për mbrojtjen ndaj Lushtakut dhe arsyen e parashkrimit të lëndës së tij për arratisjen nga QKUK në vitin 2014, gjashtë vite më parë.

Lënda e cila është tash e katër vite në proces gjyqësor pritet të parashkruhet në maj të këtij viti, ndërsa ish-komandanti i UÇK-së dhe ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushatku, me anë të parashkrimit nuk do të marrë dënim për veprën me të cilën e ka ngarkuar prokuroria atë të arratisjes nga QKUK.

Për këtë vepër penale Lushtaku rrezikonte dënim deri në 3 vjet.

Avokati Qerkini dha detaje për seancën dhe parashkrimin e lëndës ndaj të mbrojturit të tij Sami Lushtaku.

“Në bazë të parashkrimit faktik të veprës së bërë nga ana e prkurorisë, del që kjo vepër do të duhej të parashkruhej më 23 maj 2020. Besoj se kjo lëndë ka qenë lëndë e cila është ndërtuar nga ana e Prokurorisë së EULEX-it, rasti është hetuar nga prokurori i EULEX-it madje prokurori e ka prezantu aktakuzën por për shkak se pas kësaj EULEX nuk kishte mandat të vazhdoj atëherë çështja penale i kaloi prokurorisë vendore e cila për mendimin tim ka vepruar për të mos lënë çështjen të parashkruhet dhe gjykata ka bërë edhe veçimin e procedurës sepse Prokuroria e EULEX i kishte përfshirë tetë akuza ndaj Sami Lushtakut dhe gjykata me qëllim që të mos parashkruhet lënda e kishte ndarë lëndën në dy pjesë për të vazhduar në fillim vetëm më këtë rast e më pas me rastet tjera. Më datë 30 mars është caktuar seanca ku mbrojtja dhe prokuroria do të jepnin fjalën përfundimtare dhe pas ksaj gjykatës nuk do të i duheshin më shumë se 1 javë ditë ta sjellë vendimin por ja që ndodhi kjo me koronavirus dhe gjitha aktivitetet janë suspenduar”, tha avokati Qerkini.

Ai tutje shtoi se pandemia ka qenë faktor i shtyerjes së seancës për fjalën përfunditare.

“Për momentin nuk mund të themi se lënda është parashkruar, por mos të kishte ndodhur epidemia atëherë nuk kish pas gjasa teorike të ketë parashkrim sepse siç e thash ka qenë e caktuar data e mbajtjes së seancës për fjalët përfundimtare. Ka mundësi që epidemia të përfundoj askush nuk mund ta parashikoj”, shtoi ai.

Gjithashtu avokati Qerkini tha edhe se janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për të mos u bërë parashkrimi.

“Në fakt edhe mbrojtja edhe gjykata edhe prokuroria me kujdes të shtuar ka ndërmarrë veprimet e veta në mënyrë që mos të vijë deri te parashkrimi. Mbrojtja ka psur mundësi të kundërshtoj që lënda të veçohej, sepse nëse nuk do të veçohej lënda do të parashkruhej por mbrojtja në këtë rast e ka përkrahur qëndrimin e gjykatës që lënda të veçohet me të vetmin qëllim që mos të parashkruhet lënda”, tha ai tutje.

Sipas tij gjykata pas parashkrimit duhet të nxjerrë aktgjykimin refuzues.

“Nëse lënda parashkruhet atëherë nuk ka gjasa teorike të shqiptohet aktgjykim dënues. Gjykata duhet të nxjerrë aktgjykim refuzues që nxirret në rast të parashkrimit të lëndës. Me nxjerrjen e aktgjykimit refuzues do të përfundonte kjo lëndë” , shtoi avokati.