VIDEO - Shqipëria dërgon një kontingjent prej 30 ushtarakëve në Kosovë

Një grup prej 30 efektivesh Komando nga Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë nisur sot për në Kosovë.

Të njëjtit do t’i bashkohen misionit ndërkombëtar të NATO-s, të koduar “KFOR 1“ në Pejë.

Në ceremoninë e nisjes të këtij grupi ka qenë i pranishëm Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor, Bajram Begaj dhe komandantët e forcave.

Sipas një njoftimi për media, ministri i Mbrojtjes e ka cilësuar këtë ngjarje një mision të një rëndësie të madhe për Kosovën, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Pas tërheqjes dhe mbylljes së misionit në Afganistan, ne u angazhuam se do të vazhdojmë të rrisim pjesëmarrjen tonë në misione të NATO-s dhe ato ndërkombëtare në përgjithësi dhe ky është rasti”, thuhet se ka thënë Peleshi.

Sipas komunikatës, Peleshi ka treguar se kjo është hera e parë që Shqipëria në këtë mision ka dërguar një kontingjent special të djemve dhe vajzave, që sipas ministrit janë më të mirë që ka FA.

“Në këto ditë të sfiduara të paqes dhe sigurisë globale kjo e shton dyfish e rrit vëmendjen, por edhe përgjegjshmërinë e secilit prej nesh e secilit prej jush për të shërbyer me profesionalizëm, me disiplinë ushtarake, me dinjitet në respektim të kodit të etikës dhe të vlerave të aleancës tonë”, thuhet se u shpreh ministri.

Tutje është treguar se Peleshi NATO-në e ka cilësuar si aleancën më të fuqishme ushtarake dhe politike në botë.

“Asnjë inç i kësaj Aleance nuk mund të preket”, ka thënë ai.

I pari i Ministrisë së Mbrojtjes thuhet se ka pasur një mesazh për efektivët që u nisën me mision për në Kosovë.

“Punën tuaj atje do doja ta shikonit çdo ditë si një kontribut për paqen edhe sigurinë globale, si një kontribut për lirinë e qytetarëve tanë, e qytetarëve të botës, e qytetarëve të rajonit, sepse në 48 orët e fundit normaliteti siç e tha sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg ka ndryshuar; jemi në një normalitet të ri”, shpjegohet në komunikatë ku thuhet ministri Peleshi ka vazhduar fjalën e tij duke iu drejtuar ushtarakëve se duhet të jenë të vëmendshëm, vigjilentë, me dinjitet përkrah aleatëve të Shqipërisë dhe ta bëjmë flamurin e këtij shteti të valëvitet krenar krahas flamujve tjerë të Aleancës.