(VIDEO) Shkolla e Ferizajt bëhet me dollapë që lehtësojnë barrën e nxënësve

Çantat tani i kanë më të lehta.

Shumica e nxënësve në shkollën fillore “Jeta e Re” ne Greme të Ferizajt nuk kanë nevojë të bartin të gjitha materialet shkollore me vete.

 

Kjo shkollë është ndër të paktat në Kosovë e cila është e pajisur me dollapë në të cilët fëmijët mund të vendosin librat e tyre.

Këto dollapë u financuan nga disa biznese të fshatit dhe prindër të fëmijëve të kësaj shkolle.

Drejtori i shkollës Jeton Ahmeti ka thënë për KALLXO.com se iniciativa do të ndikojë pozitivisht te nxënësit.

“Zakonisht librat që kanë detyra dhe obligime i marrin kurse librat e tjera që nuk ju nevojiten i lënë në shkollë, në dollapë. Dhe për këtë arsye është marrë kjo iniciativë, që nxënësit librat që nuk ju nevojiten mos t’i bartin të mos mbingarkohen, për shkak të peshës së madhe që e kanë çantat dhe kjo është kanë arsyeja që janë pajise me dollapë këto paralele” tha drejtori Ahmeti.

Sipas drejtorit edhe në raste kur dollapët prishen, prindërit janë të gatshëm t’i rregullojnë.

“Raftet funksionojnë me iniciativën e prindërve dhe bizneseve të cilët na kanë mundësuar që t’i kemi këtu, për shkak të peshës së rëndë për fëmijët e ciklit të ultë dhe u kanë kërkesë edhe e ma hershme po na e këna realizu me ndihmën e tyre. Kështu që nxënësve ju shërben shumë për shkak se mos me i bartë librat për çdo ditë për shkak të ngarkesës”, tha ai.

Pritet që vitet e ardhshme kjo shkollë të pajis me dollapë edhe ato pak klasë të cilat kanë mbetur pa ta.

Ndërkohë, Drejtoria e Arsimit në Ferizaj ka thënë se kanë ofruar mbështetje për disa shkolla për vendosjen e dollapëve por nuk kanë treguar numrin e saktë.

“Ne si drejtori kemi ofruar mbështetje dhe vendosje të dollapëve në disa shkolla, por një pjesë e madhe e shkollave i kanë vendosur edhe përmes donatorëve ose Këshilleve të Prindërve, në mënyrë që të lehtësohet sado pak çanta e fëmijëve tanë.”, thuhet në përgjigjen e DKA-së në Ferizaj,