VIDEO: Shkodër, i shpëtohet jeta turistit zviceran që ra në humnerë

Policia e Shqipërisë dhe banorët e rrethit të Shkodrës i kanë shpëtuar jetën një turisti zviceran, i cili kishte rënë në humnerën mbi lumin Kir.

Sipas Policisë së Shtetit, 64-vjeçari nga Zvicra ishte duke udhëtuar me motoçikletë dhe kishte dalë nga rruga dhe ka rënë rreth 120 metra në humnerën mbi lumin Kir.

Policia kishte marrë një telefonatë nga një banor i zonës i cili kishte parë ngjarjen.

Menjëherë në drejtim të vendit të ngjarjes shkuan forcat e Policisë dhe në bashkëpunim me banorët e zonës, kanë bërë të mundur nxjerrjen e 64 – vjeçarit nga humnera duke e transportuar më pas në spital.

Shtetasi zviceran ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtimin e duhur në spitalin rajonal të Shkodrës.

Policia e Shkodrës ka falënderuar banorët e zonës për bashkëpunimin, kontributin dhe solidaritetin që treguan në këtë rast, por edhe në shumë raste të tjera të ngjashme.