VIDEO - Shkarkimi i anëtares së OSHP-së çon në përplasje pozitë e opozitë

Në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere ky po shqyrtohet vendimi i Qeverisë së Kosovës për shkarkimin e Kimete Gashit, anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, ka çuar në një përplasje verbale mes deputetit të PDK-së, Ferat Shala dhe zëvendëskryeministres, Emilia Rexhepi.

Shala pretendon se Qeveria nuk ka të drejtë të marrë në pyetje Gashin, ndërsa Rexhepi është kundërpërgjigjur duke i thënë se vetë Komisioni e ka ftuar në mbledhje.

Deputeti i PDK-së ka konsideruar si vendim korruptiv, shkarkimin e Kimete Gashit teksa ka parashtruar disa pyetje në drejtim të Qeverisë.

“Është vendim korruptiv, më thuaj se çka keni prit ju prej koleges këtu. Cili do të ishte vendimi meritor që duhej të merrej kjo? Çfarë vendimi tjetër është dashtë me marrë kjo që i kish plotësu konditat e Qeverisë për këtë tender, nuk e kam të qartë ku po ju dhemb dhëmbi? A i keni ju vendimet e Gjykatave, ku janë vendimet edhe për anëtaret e tjerë të Bordit? Pse bash këtë? Ndoshta e meriton, po ku janë anëtarët tjerë?”- tha në mes tjerash Shala.

“Ne nuk mund ta mbështesim një vendim selektiv, unë jam për ta shkarkuar krejt bordin. Prandaj tërhiqni vendimin, sepse kam pritë me tërheq këtë vendim, duhet ta sjellni një vendim të duhur dhe të arsyeshëm me fakte dhe argumente”- shtoi ai.

Më pas, deputeti Shala tha se nuk do të votojë në lidhje me këtë rast dhe se do të largohet nga mbledhja e Komisionit deri në trajtimin e pikës vijuese, shqyrtimin e projektligjit për pagën minimale.

“Për këtë rast unë asnjë vendim nuk e votoj, as nuk kam se çka rri më. Kur vjen ligji për pagën minimale unë kthehem”- deklaroi ai.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës i ka propozuar Kuvendit shkarkimin e anëtares së bordit të OSHP-së, Kimete Gashit, për shkak të tenderit për insulina.

Tenderi për insulina i Ministrisë së Shëndetësisë që nga viti 2020 ka mbetur i papërfunduar për shkak se OSHP-ja kërkon që ofertat e operatorëve ekonomikë të kthehen në rishqyrtim, ndërsa Ministria e Shëndetësisë konsideron se OSHP-ja ka bërë shkelje ligjore.

Në mbledhjen e kaluar të po të njëjtit Komision ku po raporton Gashi, ka thënë se kur ka filluar punën si anëtare e bordit, lëndën e tenderit për insulinat e ka gjetur në rivlerësim, me vendim të bordit të kaluar.

“Kur jemi shku aty e kemi gjetë këtë lëndë në rivlerësim për të cilën kemi pasë një vendim të bordit të kaluar, ka qenë i njëjtë në rivlerësim për të cilin e kemi pasë një vendim të bordit të kaluar, ka qenë i njejtë, rivlerësim. Në momentin që kemi shku ne dhe e kemi gjetë ankesën duke pritur për trajtim atëherë më pas anëtarët e bordit unanimisht kemi nënshkru që të kthehet lënda në rivlerësim sepse ishte anulu nga Ministria e Shëndetësisë. Në procedurë për me u kthy në rivlerësim kanë qenë të pestit”- ka shpjeguar Gashi.

Ajo tregonte se lënda përsëri ka shkuar në rishqyrtim dhe sipas saj, Ministria e Shëndetësisë për arsyet e saj nuk e ka shpallur fituesin.

“Kur ka shku lënda përsëri, përsëri Ministria e Shëndetësisë për arsyet e veta nuk e ka shpallë fituesin, cilido qoftë ai. Ne kemi thënë që do të jetë vetëm njëri dhe kur ka ardhë herën e dytë përsëri është dashtë me qenë numri tek i anëtarëve të bordit sipas rregullores që e kemi dhe ligji që e përcakton. Meqenëse njëri prej anëtarëve të bordit ka dhënë dorëheqje atëherë ishin tre dhe po ata të tretë nuk kanë ndërru qëndrim dhe kanë votu sikurse herën e parë. I vetmi ndryshim ka qenë se unë kam qenë e emëruar kryetare me short ndërsa të tjerët kanë qenë anëtarë, vota është e njëjtë unë nuk kam mandat, as asnjëri prej neve kur të caktohet kryetar me pasë të drejtë të dyfishtë, jo të gjithë njëjtë”- tha Gashi.

“E kemi pasë edhe ekspertin që na ka mbështetë, kemi pasë edhe seancën publike. Kemi informata që Ministria e Shëndetësisë ka nënshkru kontrata me udhëzim administrativ por neve nuk na ka interesu ajo shumë, neve na ka interesu qat procedurë ta përfundojmë sipas ligjit të cilën vetë Ministria e ka leju ose udhëzimin administrativ ose autorizim marketingu. Ne vetëm për pjesën procedurale kemi pa”- shtoi ajo.

Kimete Gashi ishte zgjedhur anëtare e bordit të OSHP-së me 61 vota pro të deputetëve të Kuvendit të Kosovës në qershor të vitit të kaluar.

Në atë kohë, kishte kaluar më shumë se një vit që kur OSHP kishte mbetur pa bord.

Qeveria i propozon Kuvendit ta shkarkojë anëtaren e bordit të OSHP, deklarohet Kimete Gashi