VIDEO - Shiriti i Smajl Latifit– Si duken në terren projektet që u publikuan në Facebook si sukses?
Fotografi të shoqëruara me shkrime të gjata me qëllim promovimi të projekteve të ndryshme po publikohen në rrjete sociale nga kryetarët e komunave të Kosovës.
Ekipi i KALLXO.com në Rahovec zgjodhi disa nga postimet të cilat ishin publikuar nga kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi e që thirreshin si projekte të përfunduara, për sa kohë që në terren u vërtetua fakti se ndonëse u përuruan, projektet nuk janë si në fotografitë e publikuara.
Më 23 dhjetor 2023 kryetari i Rahovecit publikoi dy fotografi dhe një mesazh të gjatë më të cilin njoftonte se ka vendosur pritore të autobusit në Rahovec. Kryetari në postim përmendi se pritoret do të kenë ulëse, xhama të temperuar dhe monitor që tregojnë hartat.
Por në terren gjendja ka ndryshuar. Xhamat në dy pritoret janë thyer.
“Po janë thyer e kemi pa. Ne e kemi raportu rastin në Polici”- ka thënë kryetari.
Një nga projektet që është promovuar në Rahovec është hapja e shtëpisë së të moshuarve për qëndrim ditor. Mesazhi i komunës se përurimi i kësaj shtëpie do të bëhej më 29 gusht 2023 u pëlqye nga 145 qytetarë. Një vit pas qendra nuk është duke u përdorur.
Për këtë kryetari Smajl Latifi ka thënë se ka ndodhur për shkak të mos aplikimit të kompanive për transport të të moshuarve.
“Një vit kemi mendu se qysh me funksionalizu shtëpinë për të cilën kemi investu. Kemi ardh në përfundim të një zgjidhje por që gjashtë muaj na ka marrë kohë tenderi. 5 hërë ka dështu tenderi, hic kërkush nuk ka konkuru”- tha Latifi.
Më 5 dhjetor 2022 Komuna e Rahovecit kishte njoftuar për disa ndërhyrje që do të përmirësonin kushtet në stadiumin “JAHJA DANUZA”.
Por pa kaluar ende dy vite, komunës i ka lindur ide e re për këtë stadium.
Në maj të 2024-tës, makineritë kanë rrënuar fushën në Stadiumin ‘Jahja Danuza’ që tash do të bëhet shesh.