VIDEO: Shaip Kamberi vendos flamurin shqiptar në Kuvendin e Serbisë

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, në një fjalim në Kuvend ka thënë se Serbia mbetet i vetmi shtet në rajon që ndalon përdorimin e simbolit kombëtar për pakicën.

Sipas Kamberit, përdorimi i simboleve kombëtare për pakica është i rregulluar edhe me ligj.

“Përderisa pakica kombëtare serbe përdor ligjshëm flamurin në Graçanicë, Kumanovë e Kotorr; flamuri shqiptar ndalohet në Luginën e Preshevës. Barazia nuk duhet ndërtuar duke ua ndaluar pakicave kombëtare përdorimin e simboleve të tyre kombëtare. Prandaj sot vendosa flamurin shqiptar në parlament, krahas flamurit serb. Ligji për minoritete duhet të ndryshohet në Serbi. Flamuri shqiptar të legalizohet dhe të valojë në Luginë, ashtu sikurse po valon ligjshëm flamuri serb në Graçanicë, Kotorr dhe Kumanovë. Simbole të ligjshme kombëtare për çdo pakicë kombëtare në rajon, pa dallim. Barazia në të drejta është parakusht për paqen rajonale”, ka thënë Kamberi në Kuvendin e Serbisë.

 

Deri sa po mbante fjalimin, Kamberi ka vendosur disa flamuj mbi tavolinën e tij, derisa shpjegonte se si valojnë flamujt serb në komunat serbe në Kosovë, Kamberi vendos flamurin serb ndërsa kur i vjen radha të flas për vendosjen e simboleve kombëtare të Kosovës apo Shqipërisë në Kuvendin serb, ai vendosi në radhë edhe flamurin e Shqipërisë.

Ai përfundoi fjalimin e tij në Kuvendin e Serbisë, ndërsa afër vetes kishte të vendosur dy flamujt, atë të Serbisë dhe të Shqipërisë.