Foto: KALLXO.com

VIDEO: Rruga e paasfaltuar në Vërboc, banorët kërcënojnë se do të shpërngulen

Për shkak të mosasfaltimit të 300 metrave rrugë, banorët e një lagje të Vërbocit të Drenasit po paralajmërojnë mundësinë e shpërnguljes, siç tashmë kanë vepruar disa familje.

Banorët e lagjes ‘Krelani’ thonë se pasi që kishin bërë ankesa disa herë, Komuna ka ndërhyrë duke ndërtuar trasenë para një viti, por asfalti nuk u vendos ende.

Si pasojë e gjendjes së kësaj rruge, banori Azem Krelani thotë se po kanë problem të qarkullojnë sidomos gjatë stinës së dimrit.

“Na kanë premtu që ka mu shtru rruga, edhe kanë ardhë e kanë shtru qit trase. Na kemi problem dimrit, shumë problem është se nuk mundemi me dalë, d.m.th. tre muaj dimrit nuk mundemi me dalë, jemi të izoluar. Nuk kemi qasje tjetër as me kerr, veç  këmbë. Nëqoftëse ka të sëmurë, mundet me vdekë dikush që nuk mund me çu, veç nëse e kap në shpinë me çu, edhe nuk mund e çon deri në asfalt me hyp në kerr e me çu në ambulantë”, u shpreh Krelani.

Sipas tij, mungesa e infrastrukturës është njëra nga arsyet që shumë familje përreth janë shpërngulur nga kjo lagje.

E, njëjtë thotë se do të veprojë edhe ai.

“Prej familjes teme, 3 familje janë dalë prej këtuhit, edhe 5 familje të kushërinjve prej kushteve që nuk i kem pasë. E nëse nuk ka kushte, nuk kemi me nejtë as na. Pa kushte këtu nuk rrihet, edhe jemi larg. Edhe është problemi se 300 metra janë rrugë, jo 3 kilometra”, tha ai.

Smajl Krelani, një banor tjetër, tregon vështirësitë e qarkullimit sidomos nga të moshuarit e kësaj lagje.

“Vjet janë ardhë pak na e kanë zgjeru, edhe na e kanë shtru këtë shtresë, më e kanë qit e kanë lënë. Na kur po bëhet dimri, po e kem shumë vështirë me dalë, jemi të sëmurë unë edhe gruaja. Nuk po e di qysh me ia bë kësaj pune. Na kanë thanë po, në krejt lagjet janë shtru, të na jo”, potencon Krelani.

Komuna e Drenasit në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se lidhur me këtë rrugë, projekti është në fazën e prokurimit deri sa të shpallet fituesi.

Tenderi për këtë rrugë ishte anuluar në të këtij viti, ndërsa një muaj pas ishte pezulluar pas ritenderimit për shkak të ankesave nga operatorët.