Foto: KALLXO.com

VIDEO - Rritja e çmimit të plehrave, sfidë për bujqit e Kosovës

Para pak javësh, Qeveria e Kosovës njoftoi se ka ndarë 50 milionë euro për subvencionimin e bujqve, por megjithatë sipas fermerëve, rritje e prodhimit bujqësor do të jetë sfidë.

Sipas tyre, kjo vjen për shkak të shtrenjtimit enorm të inputeve bujqësore.

Rritje të mëdha më së shumti vërehen tek plehrat thotë bujku nga fshati Balloc i Podujevës, Malësor Sejdiu, që ka rreth 200 hektarë me grurë dhe misër.

“Kemi qenë dhe kemi ble të gjitha plehrat, shembull vitin paraprak ka qenë çmimi 6 euro e gjysmë për një thes KAN këtë vit është 18 deri në 20, urea është 25 euro, çmimet janë shumë të larta, kostoja është shumë e lartë”, tha Sejdiu.

“Gjithçka ka ndiku, duke filluar prej plehrave, naftës, unë jam edhe kombajner edhe bujk, tash unë nuk mundem me dal se kostoja nuk del e njëjtë”, tha më tutje ai.

Ndërsa bujku tjetër Fazli Berisha thotë se ngritja e çmimeve nuk po munden të përballohen, duke shtuar se cilësia e plehrave nuk është e duhur.

“Plehu KAN nuk e ka atë cilësinë dhe efektin qysh duhet me pas ashtu edhe plehrat tri 15-she (NPK 15:15:15:), nuk ka kontroll, qysh hin në të zezën plehrat, shteti duhet me funksionu dhe jo veç me marrë plehra veç me tiketë tri 15-she dhe nuk e ka kualitetin për rendimente të grurit”, u shpreh Berisha.

Profesori universitar i Fakultetit të Bujqësisë Imer Rusinovci tha se qeveria duhet të mendojë që ta mbështes edhe blerjen e plehut mineral.

“Plehu mineral u shtrenjtua shumë në raport me vitin paraprak dhe dilema është se sa fermerët do të jenë në gjendje të përpilojnë racionet e duhura ushqyese për bimë, andaj qeveria duhet ta mendojë që ta mbështes edhe plehun mineral që mos të karakterizohemi me prodhime të ulëta në fund të periudhës vegjetative”, tha profesori Rusinovci.

Ndërsa agronomi Berat Gërguri, që punon edhe në barnatore bujqësore thotë se rritja e këtyre produkteve ka filluar që nga koha e shfaqjes së pandemisë COVID-19.

“Çmimet më stabile janë plehrat organike ndërsa plehrat minerale kanë rritje të theksuar. Pra në përgjithësi kanë rritje në 100%, sidomos ato me bazë fosfori pasi ato kanë rritje më të madhe por në përgjithësi ka rritje mbi 100%”, u shpreh agronomi.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka deklaruar se mbështetja e qeverisë për drithërat, si produkte strategjike për sigurinë kombëtare, ka shkuar deri në 216%.