VIDEO- Rrëfimi i studentes: Kolegji privat na mashtroi

Një vajzë e re po ankohet për mashtrimin që iu bë nga një kolegj privat në Kosovë, pasi ajo pagoi për të vijuar studimet derisa kolegji nuk u tregoi se nuk kishte akreditim. Regjistrimin e studentëve pa akreditim e ka mohuar kolegji.

Me mospajtime ndërmjet anëtarëve të Këshillit Shtetërorë të Cilësisë (KShC), ka përfunduar mbledhja e 79-të e mbajtur më 16 dhe 17 janar të këtij viti.

Nga kjo mbledhje, dy kolegje private, “Rezonanca” dhe “Heimerer”, përfituan akreditime të reja në disa programe.

Por, Kolegji “Rezonaca” studentët i ka pranuar sikur të kishin akreditim që nga fillimi i vitit akademik.

Në një rrëfim ekskluziv për emisionin Jeta në Kosovë, njëra nga studentet në këtë kolegj, ka rrëfyer sesi i kanë bërë pagesat, i kanë mbajtur ligjëratat dhe kanë marrë premtime nga kolegji se janë të akredituar.

Ajo ka dashur të mbetet anonim.

Kolegji privat Rezonanca edhe pse nuk pati akreditim për vitin akademik 2019/20, mbajti provim pranues për studentet, të paktën në njërin prej programeve që nuk ishte i akredituar paraprakisht nga KShC.

“Provimi pranues është mbajtur në tetor, më 11 tetor. Në fillim kur kam apliku, njëherë na kanë njoftuar për drejtimin e fizioterapisë se qysh kemi me mbajt orarin e ligjëratave, qysh kemi me i mbajt orët praktike. Në fillim kemi me i mbajt në kolegj pastaj kemi me shku në spitale dhe në spital të Rezonancës”, rrëfen studentja.

Kur studentët kishin pyetur në kolegjin privat se,a janë të akredituar në programet që kanë aplikuar, përgjigja nga “Rezonaca” ishte pozitive.

“Për akreditim nuk na kanë njoftu kurrgjë, veç nëse, pasi jemi regjistruar i kemi pyet, gjithmonë përgjigja e tyre u kanë, po, që është i akredituar”, ka thënë ajo në Jeta në Kosovë.

Jeta në Kosovë ka takuar edhe pesë studentë të tjerë që janë regjistruar në “Rezonacë” në programet që nuk kanë qenë të akredituara. Ata kanë konfirmuar se kanë bërë pagesa, por nuk kanë pranuar të flasin para kamerës.

Siç ka rrëfyer studentja, në rast se nuk do ishin bërë pagesat, kolegji i ka njoftuar se mund të humbasin vitin akademik.

Një vit në programin Fizioterapi kushton tre mijë euro, ndërsa pagesat  kanë mundur t’i bëjnë me përqindje.

“Viti për programin tonë kushton 3 mijë euro. Pagesën masi që jemi shku me i mbajt ligjëratën, na ka ardhur një e- mail që duhet me i bë pagesat, 20% të shumës që kemi pasur me pagu”, thotë ajo.

“Gjithsej, muj me thanë që jemi deri në 60 studenta jena”, thotë tutje ajo.

Që prej kur kanë filluar ligjëratat studentet në Rezonancë, programi Fizioterapi, kanë kaluar disa muaj. Tash, kur ka ardhur koha e provimeve, ata kanë marrë një njoftim nga Kolegji.

“Po, normalisht ne kemi filluar me u bë gati për provime edhe provimet kemi pasur me i fillu prej datës 3 shkurt, po sot na ka ardhur një lajm që neve na shtyhen provimet në mars, për arsye që i kemi humbur disa ligjërata dhe kemi filluar me i mbajt ligjëratat më 21 tetor, është dashtë mi fillu ma herët dhe kjo u kanë arsyeja  që neve na kanë shtyrë me i mbajt provimet, me i mbajt në mars”, ka deklaruar ajo.

Studentët të cilat janë regjistruar në programet që nuk kanë pasur akreditim tash janë zhgënjyer. Ata kanë paralajmëruar se do t’i drejtohen organeve të drejtësisë për rastin.

Dëgjojeni të plotë rrëfimin e të studentes: