VIDEO - Rrëfimi i qytetarët që gjeti mbi 2 mijë euro dhe i dorëzoi në Polici

Gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës njoftoi se Valon Ramadani, një qytetar nga Gjilani gjeti një kuletë me mbi 2 mijë euro, të cilat i dorëzoi te zyrtarët policorë.

Ky gjest nga Policia e Kosovës u konsiderua si human ndërsa e falënderoi qytetarin në lidhje me veprimin e tij për të dorëzuar kuletën të cilën e kishte gjetur ai.

KALLXO.com ka kontaktuar me Valon Ramadanin në lidhje me këtë ngjarje.

Valon Ramadani, që punon në sektorin e ndërtimtarisë ka rrëfyer tërë ngjarjen se si ka ndodhur.

“Ne jemi punëtorë dhe punojmë në Prishtinë, si çdo ditë që vijmë edhe sot kemi ardhë, në vendin ku e parkojmë kerrin, në një vend-parkim çdo ditë, e kemi parku apet edhe kur kemi dalë nga vetura. Njëherë nuk e kam parë, jam kthy mi lanë çelësat në kerr e kom pa kuletën me plotë pare” – tha Ramadani derisa shpjegon se në polici kishte marrë vesh për shumën e parave që ishin brenda kuletës.

“E kemi kontaktu edhe policinë dhe ata kanë ardhur këtu”- tregon tutje Ramadani.

Ai thotë se nuk e hapi kuletën fare por shpjegon se policia pasi është thirrur menjëherë kishte shkuar në vendin e ngjarjes.

“Jo nuk e kam hap kuletën, e ka thirrë ai i parkingut policinë, po nuk e di cilin stacion, policia ka ardhur në vendin e ngjarjes, kanë marrë deklaratë nga ne, i kanë njeh paret në prezencën tonë, sepse e kishin si rregull”- vazhdoi Ramadani.

Qytetari nga Gjilani, ka një mesazh për ata që gjejnë e hasin në gjëra të humbura.

“Qytetarëve u bëj thirrje që kushdo që gjen, secili prej neve duhet me mëndu, nëse neve na kishin humbur,  çka kishim ba. Kushdo që gjen para, ngjashëm t’i kthej ato, sepse secili prej neve ka nevoje për to”- thotë ai.

I vetëdijshëm që punon në njërën nga sektorët që nuk i kushtohet rëndësi shumë në aspektin financiar, ai sërish thotë se puna duhet të kryhet në mënyrë të pastër.

“Ne jemi pjesë e ndërtimtarisë, punën e ndërtimtarisë ne e dimë qysh paguhet, por çka nuk është e jotja nuk të takon, kështu që ne kemi qejf me punu pastër, të pakën për vete dhe paratë që i kam gjetë, në atë mënyrë qysh e kam gjete, qashtu e kam dorëzu, s’më ka ineresuar”- përfundoi Ramadani.

Policia e Kosovës raportoi sot për këtë ngjarje.

“Sot zyrtarëve të stacionit policor Qendra, në rrugën “Tringë Ismajli”, në Prishtinë, një qytetar V.Ramadani, ju ka dorëzuar një portofol (që e kishte gjetur në rrugë), ku kishte një shumë parash dhe dokumente personale”- thuhet në njoftimin e policisë.

Në njoftim përmendet edhe se menjëherë është ftuar në stacion pronari i portofolit dhe konform procedurave i njëjti ka pranuar portofolin, paratë dhe dokumentet.

“Duke çmuar këtë gjest human, falenderojmë të gjithë qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Policinë e Kosovës”- përfundon njoftimi i Policisë së Kosovës.

Raste të tilla janë regjistruar disa herë në Policinë e Kosovës, ku qytetarë të ndryshëm kanë dorëzuar gjësende të humbura në stacione policore.

Këto veprime vazhdimisht janë vlerësuar nga organet e rendit.