Xhevdet Kelmendi, fqinj i Qerim kelmendit. Foto: Kallxo.com

VIDEO: Rrëfimi i personit që e njoftoi Policinë për djegien e veturës ku ndodhej Qerim Kelmendi

Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, Qerim Kelmendi nga fshati Llabjan i Pejës është gjetur i vdekur brenda një makine e cila është djegur në fshatin Zahaq të Pejës.

Se si ka ndodhur rasti, ka rrëfyer për KALLXO.com, Xhevdet Kelmendi, fqinj i Qerim Kelmendit, i cili ishte personi i cili lajmëroj policinë se një veturë po digjej.

“Mbrëmë rreth orës 01:20 kam pranuar një informacion nga djali i axhës i cili më ka treguar se po digjet diçka në rrugë, kur kam dalë e kam pa flakën e madhe nuk e kam ditë çka është, kur jam afru afër e kemi pa që është tu u kallë një makinë por nuk e kemi pa se çfarë makine është. Në atë moment i kam thirrë policinë, ka ardhë policia dhe zjarrfikësit”, ka rrëfyer Kelmendi.

Fqinji i viktimës Qerim Kelmendi ka treguar se brenda në veturë ka pasur edhe shpërthime.

“Vetura ka qenë duke u djeg, në ndërkohë ka pasur disa shpërthime por çfarë ka pasur nuk e di, nuk kam mujt me dallu por ka pasur shpërthime”, ka thënë Kelmendi.

Ai tutje ka treguar edhe për raportin të cilin e ka pasur me viktimën Qerim Kelmendi.

“Familjarët nuk kanë thënë dicka, me bisedu me Qerimin nuk kemi pasur shumë raporte të afërta, prandaj familjarët më kanë treguar se Qerimi ka qenë në veturë mbrëmë”, ka thënë Klemendi.

Policia e Kosovës ka njoftuar se janë duke i zhvilluar hetimet për të zbardhur rastin.

“Rreth orës 01:27, Policia e Kosovës Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, është informuar se në fshatin Zahaq-Pejë, në një rrugë është duke u djegur një veturë. Me të marrë informatën njësitet e Stacionit Policor në Pejë kanë shkuar në vendngjarje, ku vërejtur një veturë e cila ishte përfshirë  tërësisht nga zjarri. Në vendin e ngjarjes kanë arritur njësitet e zjarrfikësve të cilët e kanë shuar në tërësi zjarrin”, njofton Policia.

“Gjatë  kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet relevante të sektorit rajonal të hetimeve, njësiti K9, si dhe prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, thuhet në njoftim.

“Gjatë shikimit të vendit të ngjarjes është konstatuar se vetura e djegur është e tipit VË Passat me targa vendore. Sektori Rajonal i Hetimeve pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, ne bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit janë duke u marrë të gjitha veprimet hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti të cilësuar ‘vrasje’ dhe janë duke u bërë përpjekje maksimale për të identifikuar kryesin ose kryesit e mundshëm”, bën të ditur Policia.