VIDEO: Rrëfimi i nënës që iu rrah fëmija në çerdhe

Naila Gori është nëna që e publikoi një video në rrjetin social ‘Facebook’, ku pretedonte që fëmija i saj është rrahur nga një edukatore në një çerdhe private në Prishtinë.

Gori e cila punon në një mision diplomatik me Kombet e Bashkuara në Afrikën Qendrore, në një intervistë për KALLXO.com,  ka rrëfyer rastin e fëmijës së saj.

 

 

Ajo ka treguar që fëmijën e ka regjistruar në çerdhen private në nëntor të vitit 2019. Sipas saj ndonjë rast të dhunës nuk ka pasur më herët, por ka pasur një rast ku nuk i është ushqyer fëmija për rreth 4-5 orë.

“Ka qenë një herë rasti kur nuk e kanë ushqyer fëmijën me kohë edhe e kemi zbuluar me kamera edhe është një raport, të cilin na e kanë dërgu kanë shkru që fëmijën e kanë ushqyer, e faktikisht nuk e kanë ushqy. Kur e kemi shiku kamerën, ai 4 orë ose 5 orë nuk ka hongër kurgjo. Rastin e kemi raportu te drejtoresha e kopshtit, edhe kanë thënë që ajo punëtorja që nuk e ka ushqy ka me u largu prej punës, por nuk e kanë largu”, ka treguar Gori.

Më tej, Gori rrëfën ngjarjen kur burri i saj ka vërejtur që fëmija refuzonte të shkonte në çerdhe, për çka ka filluar të dyshojë që diçka nuk është në rregull.

“Kam bisedu me burrin dhe ka thënë që nuk i pëlqen qe djali po tregon rezistencë kur po shkon në kopsht, domethënë është duke tregu rezistencë, nuk është i kënaqur kur po shkon atje. Ai gjithmonë kqyrë mas babës së vet dhe po don me shku mas babës së vet. Edhe kjo nuk ka ndodhë në fillim, domethënë në fillim kur e kemi dërgu djalin atje, ai me plotë qef shkojke. Tash diçka ka ndërru, unë nuk kam qenë aty dhe i kam thënë burrit që ndoshta vetëm ai e ka si fiksim, nuk e kam besu që ajo mundet me ndodhë, duke e marrë parasysh që ata i kanë kamerat në objekt”, ka thënë Gori.

Tutje, Gori ka treguar për rastin kur e kanë kuptuar që djali i saj është rrahur nga edukatorja. Ajo ka thënë që në objektin e çerdhes janë të vendosura kamerat dhe prindërit munden çdo herë t’i shikojnë ato. Dhe ka qenë burri i saj që e ka pa fillimisht ngjarjen nga kamerat.

“Dje burri ka shku për me e marrë djalin prej çerdhes edhe i ka thirrë edhe i ka thënë që bojeni gati. Burri është afru tek kompjuteri i menaxheres edhe ka thënë a mundem me kqyrë (kamerat), deri sa të bëhet gati. Edhe aty ka ndodhë ai rast. Ai ka qenë duke e shiku kompjuterin edhe e ka pa rastin, e ka dëgju zërin e djalit kur ka qajtë kur e ka rre ajo”, ka thënë Gori.

Më pas, burri i saj ka kërkuar nga çerdhja të gjitha incizimet e javës dhe me ato ka shkuar në polici dhe e ka raportuar rastin. Sipas Gorit, çerdhja kanë kërku falje për rastin.

“Unë i kam thirrë edhe i kam thënë që kam me i paditë dhe kam me e marrë avokatin, çka edhe e kam bo. Unë e kom kontaktu avokatin, tash unë nuk jam atje, burri ka me u marrë me rast, kom me e paditë edhe institucionin edhe personin në fjalë (edukatoren)”.

Gori gjithashtu ka treguar arsyen pse e ka dërgu fëmijën e saj në një çerdhe private e jo në të shtetit. Sipas saj, është e pamundur me e dërgu fëmijën në çerdhe publike, pasi janë të ngarkuara.

“Shumë mirë e dijmë që çerdhet publike janë tepër të ngarkuara, është shumë vështirë me e dërgu fëmijën në çerdhe publike. Kërkesat bëhen prej qershorit, për me mujt fëmija me shku në çerdhe në muajin shtator”, ka thënë Gori.

Naila Gori tash thotë se nuk ka besim për ta dërguar fëmijën në ndonjë çerdhe tjetër, qoftë të shtetit apo private. Ajo thotë se ka besim që drejtësia do ta zgjidhë këtë problem.

“Dhe kam besim që diçka ka me u zgjidhë, edhe ata kanë me u dënu qysh duhet me u dënu. Sepse fëmija im nuk dinë me folë, unë jam zëri i fëmijës tim dhe i krejt fëmijëve aty dhe që janë të abuzum”, ka dekaruar Gori.

Ajo ka thënë se i ka shkuar ndërmend edhe të largohet prej Kosovës dhe të jetojë në një shtet tjetër, por sipas saj, nuk është zgjidhje ikja nga Kosova.

“Zgjidhja është që me e ndërtu një shtet që ka me i mbrojtë qytetarët. Zgjidhje nuk është me ikë, ne mundemi krejtë me ikë, por më atë kurgjo nuk kemi zgjidhë”.

Gjithashtu ajo ka thënë se tani nuk e di se ku do ta dërgojë fëmijën e saj pas këtij rasti të ndodhur, duke theksuar se as në çerdhe publike më nuk ka besim që ta dërgojë fëmijën.

Naila Gori tha se ka besim që drejtësia do të veprojë për rastin në fjalë, kurse shpreson se në Kosovë më nuk do të ndodhin raste të tilla, ku fëmijët rrihen në një institucion edukativ.

Në anën tjetër, çerdhja private “Cambridge Kids”, ka reaguar në lidhje me rastin duke thënë se e ka përjashtuar nga puna edukatoren në fjalë, pas publikit të rastit.

“Me të parë skenën përgjegjësit e ndërrimit menjëherë kanë reaguar duke e përjashtuar nga puna punëtoren ne fjalë, ndërsa prindit i është kërkuar falje dhe i është lejuar qasje në të gjitha incizimet në klasën e fëmijës së tij, në mënyrë që të shoh se si është trajtuar fëmija i tij gjatë gjithë qëndrimit në çerdhen tonë”, thuhet në reagimin e çerdhes në rrjetin social ‘Facebook’.

Ndërsa po kjo çerdhe nuk ka licencë për veprimtarinë e saj. Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar Drejtori i Departamentit të Arsimit Parauniversitar, Alush Istogu.

“Çerdhja në fjalë nuk ka licencë dhe as kërkesë. Janë duke u marrë Inspektorati i Arsimit dhe zyrtarët përkatës për institucionet private në lidhje më këtë çështje”, ka thënë Istogu.

KALLXO.com  ka dërguar pyetje edhe në institucionin parashkollor dhe është duke pritur përgjigje.

Kurse Policia natën e mbrëmshme, pas rastit të raportuar ka arrestuar edukatoren, që dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj fëmijës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Rajonit të Prishtinës, Florie Ahmeti- Haziraj.

“Me datën 10 shkurt 2020 ne stacionin policor jugu ne Prishtine është iniciuar një rast Keqtrajtim i fëmijës. Lidhur me këtë rast policia ka arrestuar personin e dyshuar, e cila me urdhër te prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka thënë Ahmeti- Haziraj.

Tutje ajo shtoi se në koordinim me prokurorinë përkatëse janë duke u ndërmarrë te gjitha veprimet e nevojshme policore për rastin.

Policia po heton pamjet që shfaqin dhunë ndaj fëmijës në një çerdhe private