VIDEO - Rrëfimet e prindërve që dërguan fëmijët përmes rrugëve ilegale drejt Italisë

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan intervista të një të riu, një prokuroreje italiane, disa prindërve e disa të akuzuarve për kontrabandim të të miturve për në Itali.

Një zbrazëtirë ligjore në Itali ua mundëson që të miturit që shkojnë në itali, autoritetet nuk mund ta kthejnë në vendin e origjinës dhe më pas i pajisin me dokumentacion italian.

Qindra fëmijë të cilët jetojnë në kampet italiane presin që të marrin dokumentet italiane për qëndrim në Itali.

Rrugët e mundimshme, para të shumta të dhëna për të kaluar drejtë Italisë janë vetëm disa nga gjërat që përshkruajnë familjarë e një i ri që iu bashkangjit kësaj nisme.

Shefqet Begaj, nga Malisheva rrëfeu se si kishte dërguar dy djemtë drejtë Italisë.

“Vallai ka ardh njani e ka marrë ktu e ka qit nëpër Hungari. Beograd- Hungari dhe në fund në Itali. Dy djem i kam në Itali. Ai i madhi një 2 mijë e 700 euro kam pagu maherët. Ai pak ma vështirë e ka pas se nuk e ka pasur askënd atje, ka hek shumë deri sa i ka bo letrat kogja ka hek, edhe nëpër kufi a për të dytin ky ma leht e ka pasur ka dalë dhe i dyti ma leht i ka marrë letrat”, tha ai.

Bedri Gashi edhe ky prind, nga Malisheva, tregon për dërgimin e djalit në Itali përmes rrugëve ilegale.

“Deri në Serbi është shkuar me atë personin, njëherë a dy e kanë provuar skan mujt me shku e është kthy. Ai paret mi ka kthy. Kam paguar 3 mijë e 200 euro. Për me dal me qeta … ka provu dy herë edhe ska mujt. Pastaj u kthy në shpi njo 2- 3 ditë, edhe pastaj ka shku në Mal të Zi e te anej nuk e di tha paret i kom pas e pas një jave më ka kallxu që ka mbrri atje, e qysh ka mrri nuk e di ska kallxu”, tha Gashi.

Edhe një i ri rrëfeu për Drejtësia në Kosovë vështirësitë për të shkuar drejt në Itali përmes rrugëve ilegale.

Ai shtonte se mendimi që i sillej nëpër mend ishte se nuk mbet rrugëve dhe arrin në Itali.

Sergoi Sera një punonjës në qendrën e quajtur “Comunita Timavo”  e cila shërben  për strehimin e personave të pashoqëruar dhe e cila gjendet afër Triestes ka treguar se si shkojnë fëmijët kosovar nga Kosova për në Itali.

Sera thotë se në qendrën “Comunita  Timavo” kanë katër fëmijë nga Kosova por ka edhe të Shqipërisë.

Ai shtoi se fëmijët që qëndrojnë në qendër ku punon Sera, të miturit studiojnë dhe angazhohen me anë të një tribunali.

Zbrazëtira ligjore në Itali është shfrytëzuar me të madhe nga rrjetet kriminale të cilët kanë fituar mijëra euro duke nxjerrë fëmijë nga Kosova përmes rrugëve ilegale për në Itali.

Shuma të cilën kanë paguar ata që kanë shkuar në Itali arrinte vlerën deri në 4 mijë euro.