VIDEO: Rrëfimet e deçanasve për helmimin nga uji

Afro 500 qytetarë nga Deçani dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm. Deri më tash, dyshohet se këta qytetarë janë helmuar nga një degë e furnizimit të kompanisë “Hidrodrini”.

Qytetarët thonë se kanë pasur diarre, marramendje, molisje e vjellje. Qytetarët e helmuar janë nga fshatrat Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri.

Zenel Kadriaj nga fshati Rastavicë thotë se uji ka qenë me ngjyrë dhe ka pasur sasi të madhe të klorit.

Edhe Ali Selmonaj nga fshati Gllogjan dyshon se është helmuar nga uji i pijshëm.

Ndërsa Hysni Aliçkaj nga fshati Irzniq thotë se pesë vajzat e tij janë helmuar por jo nga uji për shkak se ai nuk ka sistem të ujësjellësit në shtëpi.

Ujësjellësi “Hidrodrini” menjëherë pas dyshimeve për helmim, ka ndalur furnizimin në këto fshatra.

Nga të dhënat zyrtare, analizat kimike kanë rezultuar në rregull, ndërsa qytetarët po presin për analizat biologjike.

Gjatë ditës së sotme, kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj ka deklaruar në një konferencë për media se kjo është hera e dytë që brenda 1 muaji qytetarët janë duke u helmuar nga uji i pijshëm.