Shkolla në Prugovc - Foto: KALLXO.com

VIDEO: Renovimet vonojnë procesin mësimor në shkollën “Nexhmi Mustafa” në Prugovc

Nxënësit e shkollës “Nexhmi Mustafa” në fshatin Prugovc të Prishtinës nuk e kanë filluar ende mësimin.

Sipas prindërve, kjo po ndodh për shkak të renovimeve të stërzgjatura në këtë shkollë.

Si shkak i mos hapjes së shkollës në kohë, shumë prindër i kanë dërguar fëmijët në shkollë në fshatin e afërm, Besi, pasi shkolla në Prugovc është vetëm aneks i saj.

Shkolla në Prugovc – Foto: KALLXO.com

Por prindërit shqetësim kryesor e kanë transportin e nxënësve, pasi po detyrohen t’i dërgojnë në shkollën në Besi me mjetet e tyre.

Shqetësim shtesë për ta është fakti nxënësve të dy shkollave po u duhet të bëhen bashkë në kohë të pandemisë.

“Kemi dalë të protestojmë për shkak të shkollës, që shtatë muaj shkolla është e shkatërruar prej erërave të forta, e për këta muaj vetëm po t’i ndalte disa tendera koti ka mundur ta rregullojë shkollën”, thotë Xhavit Visoka, prind nga Prugovci.

Shkolla ku kanë mësuar nxënësit deri tash ishte ndërtuar në vitin 2012 falë një donacioni italian. por tani që ajo nuk i mban më nxënësit brenda, prindërit po kërkojnë zgjidhje.

“I kam pesë vajza, katër në shkollë, ato kanë orare të ndryshme, shkolla është pesë kilometra prej shtëpisë që do të thotë se mua së paku 30 kilometra më duhet t’i bëj brenda ditës me makinën time personale”, thotë Gani Kutllovci nga ky fshat.

KALLXO.com ka dërguar përgjigje në komunën e Prishtinës rreth problemeve të nxënësve të kësaj shkolle por deri në publikimin e këtij artikulli ata nuk janë përgjigjur.