VIDEO - Reagimet e liderëve botërorë në mars të 1999 për sulmet e NATO-s

23 vjet më parë, më 24 mars 1999, kishin filluar sulmet e para ajrore të NATO-s kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë.

Këto sulme, të njohura si “Forca Aleate e Operacioneve”, kishin zgjatur 78 ditë. Qëllimi ishte t’i jepte fund luftës dhe krizës humanitare duke detyruar regjimin e Sllobodan Millosheviçit të tërhiqte forcat e tij nga Kosova.

Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e kishte dhënë presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.

Ai atë natë mbajti fjalimin historik para popullit amerikan, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e përfundimit të luftimeve në Kosovë.

“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviq, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes”, kishte thënë Presidenti Clinton.

Ndërsa kryeministri britanik Tony Blair ishte në Berlin me liderë të tjerë të Bashkimit Evropian për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Komisionit Evropian, kur fokusi u zhvendos te bombardimet e NATO-s ndaj Jugosllavisë.

Të gjithë liderët e BE-së kanë qenë të bashkuar në mbështetjen e fushatës së NATO-s për të ndaluar Slobodan Millosheviqin.

“Ne po e marrim këtë veprim për një arsye shumë të thjeshtë – për të dëmtuar forcat serbe mjaftueshëm për të parandaluar Millosheviqin që të vazhdojë të përjetësojë shtypjen e tij të ndyrë kundër popullit shqiptar të Kosovës”, kishte deklaruar kryeministri britanik Tony Blair në natën kur filluan sulmet e NATO-s kundër Jugosllavisë.

Për kancelarin gjerman, Gerhard Schroeder, ngjarja kishte pasur një rëndësi të veçantë.

Në ditën kur kanë filluar sulmet e NATO-s, Gjermania për herë të parë që nga viti 1945 kishte marrë pjesë në luftime në Evropë.

“Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të qëndrojë në këmbë derisa të ndodhë kjo tragjedi. Ne nuk duam luftë, por duam që paqja të kthehet në Kosovë. Ne duam paqen në Kosovë edhe nëse duhet të përdorim mjete ushtarake për ta arritur atë”, ka thënë kancelari gjerman, Gerhard Schroeder.

Sulmet ajrore kundër forcave serbe vazhduan deri më 9 qershor, kur u arrit Marrëveshja e Kumanovës, e cila ndryshe njihet edhe si kapitullimi i kriminelit Millosheviq.

Më 10 qershor të vitit 1999, NATO-ja ka nënshkruar marrëveshje me ushtrinë jugosllave për tërheqjen e saj të plotë nga Kosova.

Më 11 qershor forcat serbe filluan ta lëshojnë territorin e Kosovës.