VIDEO: Qytetari thotë se Komuna e Prishtinës tokën e tij ia fali Policisë

Sabit Gori, nga Prishtina po pretendon se Komuna e Prishtinës, tokën e tij që gjendet në Lagjen ‘Kodra e Trimave’, ia ka dhënë Policisë së Kosovës, për ndërtimin e një stacioni policor në atë lagje të kryeqytetit.

Gori pretendon se atë pronë e ka blerë në vitin 1997, nga Komuna e atëhershme e Prishtinës, mirëpo nuk kishte arritur ta regjistronte në kadastër, për shkak të situatës në atë kohë.

Ai aty e ka edhe një shtëpi njëkatëshe në të cilën jeton, ndërsa pronën e ka përdorur si parking për autobusë dhe kamionë.

“Me çdo ligj, si të ish Jugosllavisë, si të Kosovës, si të ligjeve ndërkombëtare, gjithsesi unë jam pronar i tokës. Edhe sikur mos ta kisha blerë, vetëm me mbajtje të sinqertë, e kisha fitu, në bazë të gjitha ligjeve”, thotë Gori.

Ai thotë se i ka të gjitha dokumentet që prona është e tij, ndërsa i është dhënë një ultimatum që për një kohë të caktuar, ta lirojë pronën.

“Por unë që e kam të blerë dhe kam dokumente valide dhe të rregullta, dojnë në mënyrë arbitrare me ma marrë tokën dhe shtëpinë, me më qit prej shtëpie, me ma shkatërru biznesin, edhe unë nuk e di se çfarë zgjidhje me bo”, thotë ai.

 

Komuna e Prishtinës, tokën në fjalë ia ka dhënë në shfrytëzim Policisë së Kosovës, për 99 vjet. Aty do të ndërtohet stacioni policor. Sipas një dokumenti që e ka siguruar KALLXO.com, prona i është dhënë Policisë, me aprovimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës më 31 tetor 2018, por pa procedurë të rregullt të konkurrimit.

KALLXO.com ka kontaktuar Komunën e Prishtinës, të cilët përveç se kanë konfirmuar marrëveshjen me Policinë e Kosovës për ndërtimin e stacionit policor, në pyetjet e shtruara nuk kanë kthyer përgjigje.

Tutje, Gori thotë se ka paditur Komunën e Prishtinës për pronën në fjalë dhe rasti është në proces gjyqësor.

“Unë prej vitit ’96, në realitet prej vitit ’93 por me dokumente të rregullta që unë kam bo kontratë me Kuvendin Komunal të atëhershëm të Prishtinës, që Komuna e tashme është trashëgimtare e saj. Prej vitit 96 deri në 97 kam qenë qeraxhi i tyre, kurse prej vitit 97, në janar janë bërë 24 vjet, që unë e kam blerë prej Kuvendit Komunal atëherë. Mirëpo, nga pamundësia me e bo regjistrimin në kadastër, ka mbetë, ka fillu lufta dhe ka mbetë ashtu”, pretendon Gori.

Sipas Gorit, Policia e Kosovës pa kurrfarë dokumenti ia ka kërkuar që ta lëshojë pronën brenda një afati të caktuar.

“Edhe më e keqja, ia regjistrojnë në kadastër, si shfrytëzues për 99 vjet Policisë së Kosovës, edhe tash Policia bën presion unë me dal prej shpie në mënyrë arbitrare, pa kurrfarë dokumenti, pa urdhëresë, pa përfunduar procesi gjyqësor, pa një dokument, një fletë ekzekutimi, pavarësisht prej gjyqi, apo prej komune”, tregon ai.

“Këta thirren se asnjëherë me regjistru pas lufte në kadastër, as me përkthy dhe është e vërtetë se në kadastër ekziston si pronë e tyre, sepse unë fillimisht kur e kam ble e kam ble prej Komunës, edhe ka mbetë ashtu dhe nuk e kanë ndryshu sepse iu ka konvenu, sepse fillimisht e kom ble 300 mijë markë, vlera e atyre sot e kalon 3 milionëshin”.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës në lidhje me pretendimin e Gorit se ia kanë kërkuar lirimin e pronës pa ndonjë dokument. Policia, përveç që ka konfirmuar marrjen e tokës në shfrytëzim për 99 vite dhe sigurimin e dokumenteve përkatëse, nuk ka sqaruar nëse ka kërkuar nga Gori lirimin e pronës.