(VIDEO) Qytetari s’gjen mjek për t'u kontrolluar në QKMF-në e Deçanit

Një video ka arritur në redaksinë e KALLXO.com në të cilën është filmuar Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Deçan e që për disa minuta nuk kishte aty asnjë mjek, konkretisht në repartin për COVID-19.

Raportuesi i cili kishte shkuar për të marr tretman mjekësor në orën 15:00 të ditës së sotme, nuk kishte gjetur asnjë mjek që ta pranonte.

Ai ka dërguar edhe pamjet nga kjo qendër.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e QKMF-së, Selman Berisha. Ai tha se në orën 15:00 bëhet ndërrimi i mjekëve, e që thotë se kjo mund të jetë shkaku që nuk ka qenë asnjë mjek prezent.

Por ai paralajmëroi se të martën do të interesohet për këtë rast.

“Në orën 15:00 ka mujtë me ndodhë 15 minuta deri sa është bë ndërrimi i mjekëve, përndryshe nuk ka shanse mos me pas mjek”, thotë Berisha.

Porse, edhe ai nuk e arsyeton largimin e mjekëve para se të vijnë në detyrë ndërrimi i radhës.

“Me rregull, nuk është dashtë ai me lëshu ndërrimin pa ardh tjetri, po në qoftë se ka ndodhë, ka ndodhë në kohën e ndërrimit derisa u shku edhe mjeku me u vesh se përndryshe nuk besoj që ka ngecje të tillë. Na e kemi shërbimin që punon 24 orë, për COVID punojmë me dy ndërrime – prej 7-ve deri në 22:00 ndërsa shërbimet urgjente punojnë 24 orë”, tha Berisha, duke shtuar se fakti që sot është ditë vikendi, në këtë qendër punojnë veç dy mjekë kujdestar.

Berisha ngriti edhe shqetësimin e mungesës së mjekëve.

“14 mjekë më kanë shku në specializim, handikapin kryesor e kam me mungesën e mjekëve. Dje më ka shku edhe një në Gjermani, sot më është dashtë më bë zëvendësim për të”, shtoi drejtori i QKMF-së në Deçan.

Kjo është video që ka arritur në KALLXO.com