Vendimi i Albin Kurtit mirëpritet nga qytetarët

Sot kryeministri Albin Kurti mori vendim që të ulë pagat e qeveritarëve. Ai shfuqizoi vendimin e mëparshëm të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili kishte marrë vendim për rritjen e pagave për kryeministrin, zëvendëskryeministrat, ministrat dhe pjesën tjetër të kabinetit qeveritar dhe stafin e tyre.

KALLXO.com ka dalë në terren për të pyetur qytetarët se çka mendojnë për këtë vendim të Albin Kurtit.

Qytetari Ndue Kolaj tha se se vendimi i Haradinajt nuk ka qenë ligjor, sepse sipas tij pagat e Qeverisë duhet të rriten në bazë të rregulloreve.

“Me siguri është vendim i drejtë, ta shohim tash se si janë reagimet tjera”, tha ai.

Ndërsa Bukurie Bejta tha se vendimi i Kurtit është i mirë, ndërsa theksoi që pagat duhet t’u rriten punëtorëve të thjeshtë që i kanë pagat e ulëta.

“Këtyre ia vlen se tërë natën punojnë, ndërsa këta që janë ulë, nuk ma merr mendja, shumë paga e naltë”, tha Bejta.

Një tjetër qytetar komentoi uljen e pagave të qeveritarëve. Driton Halili tha se është vendim i mirë, ndërsa tash duhet të rritet paga minimale e punëtorëve të sektorit privat.

“Të ardhurat personale më të ulëta në Kosovë duhet me qenë diku rreth 230 euro, e kemi më të voglën në Evropë. Besoj që ka marrë hap të duhur”, tha ndër tjera Halili.