Lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje në pikat kufitare me Serbinë

VIDEO - Qeveria publikon pamje nga pikat kufitare ku shtetasit serbë pajisje me dokumentin për hyrje-dalje

Me t’u bërë data 1 gusht, Qeveria e Kosovës ka nisur implementimin e reciprocitetit për letërnjoftime, duke lëshuar dokumente për hyrje dalje në pikat kufitare me Serbinë.

Pak orë më parë Qeveria e Kosovës njoftoi se ka marrë vendimin për të shtyrë për një muaj implementimin e reciprocitetit, por kjo shtyrje do të fillojë sapo të hiqen barrikadat e vendosura në rrugët që çojnë Bërnjak dhe Jarinje.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka publikuar një video nga një pikë kufitare me Serbinë, ku zyrtarët policorë kanë filluar pajisjen me dokumentet për hyrje-dalje për qytetarët e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

“Tashmë ka filluar shpërndarja e dokumentit për hyrje-dalje në pikat kufitare të Republikës së Kosovës, me përjashtim në pikat Jarinje dhe Bërnjak të cilat vazhdojnë të jenë të mbyllura përshkak të barrikadave që janë vendosur nga strukturat ilegale serbe”, ka shkruar ministri Sveçla në Facebook.

“Në momentin e largimit të të gjitha barrikadave dhe pengesave, ky vendim do të pezullohet deri më 1 shtator 2022”, ka shkruar tutje ai.

Sot gjatë ditës, grupe të organizuara të serbëve kanë vendosur barrikada duke bllokuar rrugët që cojnë në Jarinje dhe Bërnjak.

Pas një takimi në zyrën e presidencë mes kryeministrit Kurti, presidentes Osmani dhe ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, qeveria ka njoftuar se do të shtyjë për 1 muaj implementimin e reciprocitetit, sapo të hiqen barrikadat.

KALLXO.com ka raportuar për të gjitha ngjarjet e sotme në veri të vendit.

LIVE – Zhvillimet e fundit në veri