Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

VIDEO - Qeveria premtoi çmim të përballueshëm, por për 7 muaj veç 1 qytetar e mori shërbimin prej 400 euro

Rikthimi i shërbimit të vendosjes së implanteve dentare në Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës (QKSUK) nuk doli aq i suksesshëm e me çmim të përballueshëm, siç ishte promovuar nga Kryeministri Albin Kurti e Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në fillim të këtij viti.

Prej 19.01.2024 deri më tani në QKSUK janë vendosur vetëm dy implante tek një pacient.

Çmimi për një implant është 400 euro. Çmim të ngjashëm, e me raste edhe më të ulët ofrojnë edhe ordinancat private.

Kryeministri Kurti pati promovuar shërbimin duke thënë se ai do t’i sigurojë institucionit qëndrueshmëri dhe se qytetarët do të marrin shërbime cilësore, me pritje minimale e çmim të përballueshëm.

Ministri Vitia tha se ky shërbim më herët është ofruar vetëm në sektorin privat, me një kosto shumë më të lartë.

KALLXO.com ka pyetur disa ordinance private në qytete të ndryshme të Kosovës për çmimin e vendosjes së një implanti. Përgjigjet variojnë nga 350 në 450 euro.

“Që ky shërbim të jetë i vazhdueshëm kemi siguruar furnizim të plotë me implante e struktura protetikore” – kishte shkruar Vitia.

Por, ky shërbim nuk doli të jetë i vazhdueshëm, ndonëse kërkesat janë të bollshme.

Drejtori i QKSUK-së, Kastriot Meqa tha se kanë kërkesa së paku 1 deri në 2 pacientë në javë për vendosje të implanteve, shërbim i rikthyer në sektorin publik pas 15 vitesh.

“Arsyeja qe nuk janë vendosur më shumë implante edhe pse ka kërkesa, mund të jetë për shkak të çmimit, por ndodh edhe për shkak të planit të mjekimit që ndonjëherë nuk iu përshtatet pacienteve” – tha Meqa në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, më 21.08.2024.

Meqa shtoi se kanë kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë ndryshimin e çmimores por nuk kanë marrë ende përgjigje.

Kryeministri e Ministri u pyetën nga KALLXO.com nëse janë të informuar për numrin e implanteve dhe për cmimin

“Unë nuk jam në dijeni sa implante janë bërë në Klinikën Stomatologjike, as nga përvoja dhe as nga të dhënat. Besoj që Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia eventualisht mund të ketë informacion” – tha Kurti.

Për çmimin që 7 muaj më parë Vitia e kishte quajtur të përballueshëm, dje (27.08.2024) tha se nuk është në nivelin që duhet të jetë.

“Dhe është e vërtetë që ka qenë një udhëzim administrativ i cili i ka pasur çmimet jo në nivelin i cili duhet të jetë për qytetarët e Republikës” – tha Vitia.

Çmimi i implanteve është përcaktuar në bazë të Udhëzimit Administrativ për mbledhje të bashkëpagesave në shëndetësi 04/2007.

Ministri shtoi se pas investimeve të fundit në Stomatologji, grupi punues brenda Ministrisë dhe profesionistët e stomatologjisë janë në përfundim të udhëzimit administrativ të ri dhe çmimores së re.