(VIDEO) Qeveria nuk ua shpronësoi objektet, vëllezërit Sopa detyrohen të lënë pronat

Dy vëllezër nga fshati Llapushnik i Drenasit po pretendojnë se për dallim prej banorëve tjerë, Qeveria nuk ua shpronësoi atyre dy objekte që nga viti 2010 kur u ndërtua magjistralja Prishtinë – Pejë.

Tashmë si pasojë, Driton Sopa dhe Blerim Sopa janë detyruar të largohen nga shtëpitë që kishin ndërtuar në vitin 2001, për shkak të rrezikshmërisë që u sjellë rruga e cila është vetëm rreth 3 metra larg nga hyrjet e oborreve të tyre dhe e cila ka intensitet të shtuar të qarkullimit të automjeteve.

Atyre ua shpronësuan tokat por jo një shtëpi dhe një lokal, ndryshe nga dy komshinjtë të cilëve ua shpronësuan edhe objektet.

Driton Sopa thotë se është detyruar që të shpërngulet nga aty, pasi disa herë automjetet ishin aksidentuar në muret e shtëpisë së tij.

“Në vitin 2013 jemi detyru me u largu se ndodhen dy raste të aksidenteve, dhe u detyruam me ndërru vendbanimin, se këtu nuk mundem me bë zgjidhje e prej frikës mos po vije deri te më e keqja”, thotë ai.

Sopa thotë se kanë bërë kërkesë dy herë, por shton se Ministria asokohe, u kishte thënë së kanë në plan disa projekte.

“Në vitin 2017 kërkesën e fundit e kemi bë në ministri. Na kanë thanë që po, ose jemi tu e prit që po vie edhe një rrugë anësore sikurse Pejë-Fushë Kosovë- Prishtinë, për atë arsyeje na kanë thanë se nuk pe dimë tu i këqyr disa projekte prej Bankës Botërore për atë arsyeje kemi mbet deri tash. Por është problemi që jemi të rrezikum”, u shpreh Sopa.

Ndërsa nga rreziku për ta vazhduar biznesin e tij, Blerim Sopa mbylli auto-servisin për ta hapur atë në vend tjetër.

Kjo pasi pranë lokalit në disa raste edhe veturat që i kishte në shitje janë goditur nga automjetet në qarkullim.

“Që dhjetë vite po bahen që i kam mbyll dyert e lokalit, që nuk punojmë më në këtë lokal këtu, se është jeta në rrezik. Ka ndodhë që tri herë më kanë hy kerret. Një rast ka ndodhë që katër kerre mi ka rrok një i Pejës, mi ka dëmtu kerret që i kam pas përpara për shitje”, u shpreh ai.

Ndërkaq, sipas Ministrisë së Infrastrukturës, objektet e dy vëllezërve Sopa janë ndërtuar në kundërshtim me ligjin.

Ata thonë se gjatë ndërtimit nuk është respektuar kriteri që distanca në mes të objekteve dhe skajit të rrugës të jetë së paku 20 metra nga rrugët nacionale.

Nga Ministria kanë thënë se objektet e vëllezërve Sopa janë vetëm një metër larg nga magjistralja Prishtinë – Pejë e po ashtu se objektet e ndërtuara nuk kanë leje ndërtimore nga Komuna e Drenasit.

Edhe pse dy vëllezërit Sopa pretendojnë se kanë bërë dy herë kërkesë për shpronësim, Ministria e Infrastrukturës ka thënë për KALLXO.com se nuk janë në dijeni që palët kanë bërë ankesë për të shprehur kundërshtitë e tyre.

“Po ashtu në Departamentin e Shpronësimit në MMPHI kemi marrë pasqyrën e pagesave ku kemi vërtetuar se shumat për kompensim janë marrë në vitin 2013. Ne nuk jemi në dijeni se palët a kanë bërë ankesa në MMPHI Departamentin e Shpronësimit pas vendimit Preliminar të Qeverisë, ku palët e prekura në shpronësim mund të deponojnë opinionet e tyre dhe kundërshtitë në lidhje me shpronësimin e tokës e jo të objekteve”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.