VIDEO - Punëtori i qendrës italiane tregon sa paguajnë familjet për fëmijët që erdhën në Itali

Në emisionin e sotëm në “Drejtësia në Kosovë” u transmetuan intervista të një të riu, një prokuroreje italiane, disa prindërve e disa të akuzuarve për kontrabandim të të miturve për në Itali.

Qindra fëmijë të cilët jetojnë në kampet italiane presin që të marrin dokumentet italiane për qëndrim në Itali.

Emisioni i sotëm sjell ekskluzivisht hulumtimin disa mujor mes ekipit të Drejtësia në Kosovë dhe disa gazetarëve italian  për kontrabandën kriminale të fëmijëve nën moshën 18 vjeqare të cilët në rrugë ilegale po nxirren për në vendet e BE-së veçanërisht në Itali.

Të dhënat tregojnë se qindra fëmijë kosovarë kanë emigruar nga Kosova për në Itali për të fituar më pas dokumentet italiane.

Një zbrazëtirë ligjore në Itali ua mundëson që të miturit që shkojnë në itali, autoritetet nuk mund ta kthejnë në vendin e origjinës dhe më pas i pajisin me dokumentacion italian.

Sergoi Sera një punonjës në qendrën e quajtur “Comunita Timavo”  e cila shërben  për strehimin e personave të pashoqëruar dhe e cila gjendet afër Triestes ka treguar se si shkojnë fëmijët kosovar nga Kosova për në Itali.

Sera thotë se në qendrën “Comunita  Timavo” kanë katër fëmijë nga Kosova por ka edhe të Shqipërisë.

“Fëmijët nga Kosova vijnë nga “Rruga Ballkanike” dhe nuk vijnë në këmbë sikur fëmijët e tjerë. Familjet e tyre paguajnë një shumë të konsiderueshme rreth 2 mijë a 3 mijë euro për të ardhur deri këtu. Në fillim, të gjithë ne mendonim se këta fëmijë vijnë te ne për të bërë një lloj Erasmusi e që pastaj të kthehen në shtëpitë e tyre dhe pastaj kemi ndryshuar mënyrën e të menduarit pas dy viteve të punës sepse kemi parë që gati të gjithë këtu në Itali dhe në Evropë kanë të afërm/familjarë madje në disa raste shumë të afërt, që mund t’ju ofrojnë punë kur ata mbushin 18 vjet. Ata vijnë këtu kur janë 17 apo rreth 18 vjeç dhe pastaj përmes neve munden të studiojnë dhe mësojnë gjuhën italiane dhe të mësojnë se si jetohet në këtë vend, ligjet, mënyrën e të jetuarit këtu dhe pastaj shkojnë te familjarët e tyre për të punuar e praktikisht i kanë vendet e punës të gatshme në këtë pikë si qytetarë italianë dhe kjo na ka bërë që të paktën ne si operatorë të ndryshojmë mënyrën e të menduarit”, ka thënë Sera.

Ai shton se fëmijët që qëndrojnë në qendër ku punon Sera, të miturit studiojnë dhe angazhohen me anë të një tribunali.

“Fëmijët që janë në qendrën tonë janë 17 – 18 vjeç por për ata që studiojnë, mësojnë e angazhohen përmes tribunalit mund të qëndrojnë deri në moshën 19 vjeç. Kur ata mbushin 18 vjeç, për dallim nga emigrantët tjerë, nuk e kanë mundësinë e azilit politik si për shembull afganët ose pakistanezët ose afrikanët dhe kur mbushin 18 vjeç kanë të drejtën e një leje qëndrimi të punës që zgjat një vit dhe gjatë kësaj periudhe duhet të gjejnë një punë dhe banim. Siç thash më parë, pothuajse të gjithë ata që i kemi parë brenda këtyre tri viteve, veçse kanë se ku të shkojnë, kanë familjarë, vëllezër më të mëdhenj që mund t’i mirëpresin në Milano, në Padova, në vetë Trieste, një madje ka shkuar në Sardegna”, shton ai.

Tutje Sera, thotë se nuk e di saktë se sa është totali i fëmijëve që përmes rrugëve ilegale kanë arritur në Itali duke shtuar se ka pasur një numër të kosiderueshëm.

“Në Itali nuk e di se sa janë në total nga Kosova, por të themi se në zonën e Triestes ka qenë një periudhë rreth vitit 2017-2019 që kanë ardhur shumë nga Kosova dhe Shqipëria, mund të them rreth 200 nga rreth 1,000 – 1,500 fëmijë që e kanë kaluar kufirin në 2-3 vjet”, shtoi në fund Sera.

Zbrazëtira ligjore në Itali është shfrytëzuar me të madhe nga rrjetet kriminale të cilët kanë fituar mijëra euro duke nxjerrë fëmijë nga Kosova përmes rrugëve ilegale për në Itali.

Shuma të cilën kanë paguar ata që kanë shkuar në Itali arrinte vlerën deri në 4 mijë euro.