VIDEO - PSD ia shtron tepihun e kuq ministrit Rifat Latifi

Partia Socialdemokrate përmes një aktiviteti, ia ka shtruar tepihun e kuq ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi për në emergjencë.

Në një konferencë për media, Donjeta Demolli, anëtare e kryesisë në PSD ka ftuar ministrin Latifi që të vjen dhe të shoh gjendjen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

“Në këtë vend, në QKUK secili qytetar i Kosovës e ka vërejtur ndryshimin ‘e madh’. Ndryshimin e Qeverisë së shpresës. Na krejt e dimë që në spitale në QKUK nuk ka ndryshu bash asgjë” – ka thënë Demolli.

Ajo ka thënë se ndryshimi duhet të jetë në shërbim më cilësor për qytetarët.

Mirëpo, sipas Demollit diçka e tillë nuk është parë nga qeveria.

“Krejt çka na ka dhanë kjo qeveri është dy ministra. Arben Vitinë, që tash është drejtor i një spitali privat dhe Rifat Latifin që nuk po di me zbrit prej aeroplani” – u shpreh Demolli.

Ajo ka thënë se gjendja në QKUK është edhe me keq se sa që ka qenë.

“Lista e gjatë e pritjes së pacientëve, mungesa e barnave, sallat e operacionit janë të mbyllura e mjekët po ikin çdo ditë” – shtoi ajo.

Tutje anëtarja e kryesisë së PSD-së tha se deri në fund të vitit nga Kosova pritet të emigrojnë 200 mjekë.