VIDEO - PSD akuzon Vetëvendosjen se po i manipulon nxënësit e gjimnazit ‘të rrezikshëm’ në Prishtinë

Zyrtarë të komunës së Prishtinës kanë dalë para gazetarëve për ta dhënë versionin e tyre rreth gjendjes së ndërtesës së gjimnazit “Ahmet Gashi” për të cilin sot nxënësit dolën në protestë.

Drejtorja e Arsimit në komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, tha se është një vlerësim i ekspertëve se ndërtesa e gjimnazit e cila më parë ka qenë ‘shkollë teknike’ nuk i plotëson kushtet për mbajtje të mësimit në të.

“Në muajin gusht, ne si Drejtori e Arsimit kemi lëshuar një vendim për dislokimin e nxënësve të gjimnazit “Ahmet Gashi” në dy shkolla, klasa e 10-të do të kalojë në shkollën “Emin Duraku” dhe klasët 11 dhe 12 në shkollën “Sami Frashëri”< tha drejtorja Shpresa Shala.

“E gjithë kjo për shkak që është bërë një vlerësim i stabilitetit të ndërtesës dhe kushteve të mbajtjes së mësimit dhe kjo ndërtesë nuk i plotëson kushtet. Është gjendje emergjente, është në pyetje siguria e nxënësve dhe kemi marrë vendim që fëmijët përkohësisht të zhvendosen”, shtoi ajo.

Shala tha se janë marrë vesh me Këshillin e Prindërve që nga e hëna mësimi të vazhdojë në shkollat e caktuara për t’u zhvendosur.

Por ajo mohoi mundësinë që lokacionit të shkollës t’i ndryshohet destinimi.

Protestë kundër rrënimit të objektit të gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë

“Nuk do të bëhet qendër tregtare aty, do të ndërtohet shkollë”, tha ajo

Ndërsa asamblisti i PSD-së në Asamblenë Komunale të Prishtinës, Adrian Berisha, akuzoi Vetëvendosjen se qëndron prapa kësaj proteste.

“Është shumë e dhimbshme qysh manipulohen qytetarët duke rrezikuar jetën e nxënësve. Është raport i inxhinierëve i cili thotë që shkolla nuk i plotëson kushtet. Ka fakte shumica e pjesëmarrësve, komplet protesta ka qenë e organizuar nga një parti politike. Kam fakte që Vetëvendosje po manipulon me nxënës”, tha Adrian Berisha.