VIDEO - Protestuesit hyjnë brenda rrethojave të Trepçës, takim me menaxhmentin

Banorët e Shalës së Bajgores janë duke protestuar para zyrave të menaxhmentit të kombinatit ‘Trepça’ për shkak të mospërfilljes së tyre në konkurset për punësime në këtë ndërmarrje.

Njëri nga protestuesit, Arsim Musa tha se kërkon që të shkarkohen të sapo emëruarit në këtë ndërmarrje.

Musa deklaroi se të zgjedhurit janë nga Komunat e tjera dhe jo nga Mitrovica.

“Jo vetëm unë, po si krejt Kosova kemi probleme me punësimet në ndërmarrjet publike për me i rahatu njerëzit e vetë në pozitat më të lartë. Këto ditë ka dal lista përfundimtare me disa të pranuar në ndërmarrjen Trepça. Aty para nja një viti kanë marrë 45 punëtorë të cilët e kanë dhënë provimin dhe janë njerëz më meritor që janë tu punu dhe kanë më punu. Ne jemi kundër ekipës tjetër, që ky bord në krye me Basri Ibrahimin, dhe stafin jo profesional i kanë marrë i kanë zgjedh njerëzit prej tjerave komuna. Kurse, Komuna jonë është ndër më të varfra në Kosovë. Gjithë ky numër i banorëve që kemi dal këtu, tregon se në çfarë gjendje është Mitrovica. Na kërkojmë nga ky bord që sa më parë nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik që sot të ndërpritet ky manipulim nga këta njerëz”, u shpreh ai.

“Këtu kanë punësu njerëz që iu punojnë baballarët, vllaznënia në Trepçë, i kanë pru dy të një shtëpie. Kërkojmë nga kjo ndërmarrje me i shkarku këta njerëz’, tha Musa.

Gjatë protestës, disa protestues kanë depërtuar brenda rrethojave të ndërmarrjes ndërsa aty është afruar edhe Njësia për Reagim të Shpejtë e Policisë.

Qytetarët janë larguar nga oborri i menaxhmetit ku ndodheshin.

Vetëm disa nga protestuesit u lejuan që të hyjnë brenda objektit të menaxhmentit për të folur nga afër me drejtorin.

Protestë e kandidatëve për punëtorë në Trepçë

Publiée par Kallxo.com sur Lundi 10 février 2020