VIDEO - Protestohet në Prishtinë kundër dhunimit të 11-vjeçares

Me dhjetëra njerëz janë mbledhur para Teatrit Kombëtar të Kosovës për të protestuar për rastin e dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë.

Viktima dyshohet se është dhunuar për shtatë orë, më 27 gusht 2022, nga ora 17:30 deri më 00:30.

Lidhur me rastin janë arrestuar katër nga pesë personat e dyshuar, ndërsa personi i pestë është i identifikuar, por ende nuk është arrestuar.

Më 27 gusht 2022, në një park të kryeqytetit, një vajzë e re 11-vjeçare dyshohet se përderisa ishte duke ecur ishte ndaluar e pastaj dhunuar seksualisht brenda një intervali prej 7 orëve nga disa persona.

Fillimisht ishte njoftuar se janë arrestuar dy persona, E.R., 27-vjeç dhe G.R., 16-vjeç.

Më pas, dje në mbrëmje, ministri i Punëve të Brendshme kishte njoftuar se janë arrestuar edhe dy të dyshuar tjerë.

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës është thënë se dje janë identifikuar dhe arrestuar dy të dyshuarit tjerë, nën dyshimin se të njëjtit në bashkëveprim me tre të dyshuar, kanë kryer veprën penale “Dhunim”.

Të dyshuarit janë intervistuar në prani të punëtorit të Qendrës për Punë Sociale dhe avokatit mbrojtës.

Dhe më pas me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje.

Dje Gjykata e Prishtinës ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve nga një muaj.

“Gjyqtarët e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.R dhe të miturit G.R e kanë aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu kanë caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 muaji për secilin veç e veç” – thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Në dosjen e prokurorisë të cilën e ka siguruar KALLXO.com përshkruhet se si ka ndodhur ngjarja.

Në dosje pretendohet që kjo ngjarje të ketë ndodhur pasi tre persona e kishin ndalur 11-vjeçaren e cila ishte duke ecur në një park.

Të tre personat ishin afruar tek e mitura dhe e kishin ngacmuar me fjalët “Zemër po më pëlqen”, përderisa njëri nga të dyshuarit kishte filluar ta prek me dorë në pjesën e barkut dhe në fundin e shpinës.

Dosja e organit ndjekës të cilën e ka siguruar KALLXO.com tregon se të dyshuarit ia kishin hequr të miturës rrobat në park. Pasi e kishin zhveshur, në dosje përshkruhet se njëri nga të dyshuarit po ia mbante duart dhe gojën viktimës ndërsa tjetri po e dhunonte seksualisht.

Sipas përshkrimit të prokurorisë dhunimi kishte vazhduar dhe ai i cili ia mbante duart, pastaj kishte filluar ta dhunojë seksualisht.

Pasi ishte dhunuar nga dy të dyshuarit e parë, viktima në afërsi të shtëpisë së saj ishte ndalur edhe nga një person tjetër.

Ai e kishte futur 11-vjeçaren në veturë së bashku me tre persona të tjerë dhe e kishte dërguar në një vend ku kishte vetëm pemë dhe bari.

Aty përshkruhet se viktima ishte dhunuar sërish.

Sipas organit ndjekës njëri nga të dyshuarit është i njohur për organet e rendit për vepra të ngjashme penale.