VIDEO - Protesta e punëtorëve teknikë në QKUK në kërkim të përfshirjes në pako të Qeverisë

Administrata, recepsionistët, shërbimi i Teknologjisë Informative, vozitësit e autoambulancave, sigurimi, shërbimi i e ushqimit dhe punëtorë të shumë shërbimeve tjera në QKUK janë mbledhur sot para Administratës Qëndrore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për të shprehur pakënaqësitë e tyre në mos përfshirje në Pakon Emergjente e Qeverisë.

Përfaqësuesi i Administratës, Kastriot Gjoshi, thotë se çdo ditë kanë qenë të rrezikuar, por nuk janë të përfshirë në pakon emergjente edhe pse tha se Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u kishte premtuar se do të jenë të përfshirë.

“Çdo ditë kanë qenë të rrezikuar dhe ende janë me përballje me Covid-19 dhe të gjithë këta të apostrofuarit më lart nuk janë përfitues së shumës prej 300 euro të premtuar publikisht nga Kryeministri i  Kosovës Avdullah Hoti dhe Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj”, u shpreh para të pranishmëve, Gjoshi.

Tutje, ai kërkoi që të trajtohen njësoj me personelin shëndetësor, dhe nëse nuk shpërfillen kërkesat e tyre do të bojkotojnë punën.

Para tyre doli edhe Ushtrues detyre i drejtorisë së ShSKUK-së, Valbon Krasniqi.

“Jemi të angazhuar maksimalisht që të gjithë punonjësit të marrin këtë pagë prej 300 euro dhe unë pres që Qeveria të reflektojë mbi këto kërkesa ekziston vullnet dhe gatishmëri që të gjendjet zgjidhje edhe për këta punëtorë”, tha Krasniqi.

Krasniqi potencoi se dje kanë pas disa takime të përfaqësuesve të sektorëve të cilët nuk janë të përfshirë në pagesat shtesë.

“Dje kam pasë takime me disa përfaqësues të sektorëve të cilët për momentin janë jashtë listës së pagesës shtesë dhe ju e dini që ky menaxhim i pandemisë është bërë fal menaxhimit të mirë në mes të të gjithë sektorëve të ShSKUK-së edhe të punëtorëve shëndetësorë, por edhe të stafit mbështetës”, tregoi ai.

Në shenjë pakënaqësie për mos përfshirjen në Pako, u shpreh edhe njëri nga punëtorët e bombolave të oksigjenit, i cili i hoqi rrobat e veshura anti – COVID dhe u kërkoi ‘shefave’ t’i veshin ato.

“Ne jemi punëtorë të oksigjenit, 24 orë punojmë me bombola të oksigjenit dy ditë i kemi të lira. Këto tesha le t’i veshin shefat”, u shpreh ai.

Pako Emergjente e Qeverisë, e cila u miratua në kohën sa Kryeministër i Kosovës ishte Albin Kurti ka për qëllim që të u dal në ndihmë disa kategorive në vend, në këtë listë janë edhe stafi shëndetësorë të cilët do të marrin 300 euro pagë stimuluese në këtë kohë pandemie.

Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com
Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com
Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com
Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com
Foto: Urim Krasniqi/Kallxo.com